Nënkryetari i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku deklaroi sot se projektbuxheti për vitin 2024 nuk jep asnjë mbështetje domethënëse për familjet e varfra.
Në një deklaratë për mediet, ai u shpreh se, “gjatë vitit 2023 qeveria mburrej për mbështetjen e shtresave në nevojë lidhur me pagesën e faturës së energjisë elektrike, por ky projektbuxhet nuk jep mbështetje financiare shtesë për faturat e energjisë elektrike për shtresat në nevojë për vitin 2024”
Çollaku theksoi se, janë rreth 900.000 shqiptarë, pensionistë dhe familje në nevojë, të cilët kanë vështirësi apo pamundësi për të shlyer faturën e energjisë elektrike.
Ai nënvizoi se, “nga njëra anë kemi rritje të çmimeve dhe shtrenjtim të kostove të jetesës në vitin 2024, sipas inflacionit të parashikuar dhe nga ana tjetër asnjë para shtesë për familjet në nevojë dhe pensionistët për të përballuar së paku faturën e energjisë elektrike”.