“Çoni një gjerman në hipotekën e Sarandës e shihni a do vjedhë,” Rama: Fajin e kanë sistemet, jo popujt

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama në hapje të Konferencës së parë Kombëtare të Antikorrupsionit adresoi ndër të tjera edhe sistemin e qeverisjes.

Kreu i qeverisë kujtoi se dikur nuk mund të bëhej asgjë pa klientelizëm, duke filluar nga hyrja në universitet, sigurimi i një vendi pune në shtet apo edhe rekrutimi i infermierëve.

Tani sipas tij, çdo gjë mund të aksesohet online dhe sistemet janë transparente.

“Si futeshin dikur fëmijët në Universitet. Vendet ziheshin jo sipas meritës. Sa vite u bënë që nuk ka më asnjë ankesë të vetme? Infermierët pa testerin e partisë që kishte ministria e Shëndetësisë nuk futeshin në punë. Sot kjo është e paimagjinueshme. Të gjithë infermierët rekrutohen përmes portalit Infermierët për Shqipërinë.”

Megjithatë, shtoi Rama, ka ende pjesë të sistemit që vijojnë të funksionojnë si më parë.

“Ky është një problem që ne duhet të përpiqemi ta zgjidhim.”

Ai pranoi se proceset e tenderimit nuk janë ende transparente në nivelin e duhur dhe për këtë shtoi se do të bëhet ekspertizë e jashtme.

“Nëse do të thoshim se tenderat në Shqipëri kanë arritur nivelin e transparencës që meritojnë të gjithë operatorët, duhet të ishim në këmbë të gjithë për t’u bërë anëtarë të BE. Nuk jemi akoma aty. Duhet të çlirojmë administratën nga pesha e madhe e këtij procesi, për të përfshirë ekspertizën e jashtme, pse jo edhe kompani ndërkombëtare, që administrata të bëjë administratën, ministritë, procesin e tenderimit ta bëjnë struktura që kanë pavarësi dhe profesionalizëm të lartë. Problemi nuk është vetëm korrupsioni por është edhe paaftësia për të ndërtuar procese që janë transparente.”

Sipas kreut të qeverisë janë sistemet ato që nuk janë të përsosura dhe problemi nuk është i shqiptarëve si popull.

“Të marrim ca gjermanë, t’i lëmë nja 40 ditë te hipoteka e Sarandës, e ti shihni si do sillen. Nuk është çështje popujsh, është çështje sistemesh. Do ta ndërtojmë sistemin që na jep mundësin ta bëjmë bekimi i madh i teknologjisë. Të jep mundësinë që të bësh kapërcime që s’do t’i bëjë kurrë. Zhvillimi linear do ta bënte të pamundur që një hark kohor të arsyeshme një vend si Shqipëria të arrinte botën.”

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit