
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka thënë se po të ishte në vendin e koleges së saj nga Grupi Parlamentar i LDK-së, Teuta Rugova, do të dilte nga partia.
Teuta Rugova ishte deputetja e vetme e opozitës e cila veproi sot në favor të pozitës, pasi vendosi t’ia bënte korumin mazhorancës për seancën ku pritet të votohet për ekipin qeveritar negociator në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë.
E Hykmete Bajrami deklaroi se veprimi i Rugovës nuk i bën nderë askujt.
“Unë do të dilja nga partia”, deklaroi Bajrami në një intervistë për Klan Kosovën. “Besoj se askujt nuk i bën nderë një veprim i tillë. Zonja Rugova ka dhënë nënshkrimin për thirrjen e seances së jashtëzakonshme për ta ndaluar korigjimin e kufinjve. Nuk e kemi pritur dhe kemi qenë të befasuar të gjithë kur kemi parë se zonja Rugova ishte aty, në sallën e Kuvendit”./Kosova Post/


