Digjitalizimi i shërbimeve, Veliaj: Nga 60 sportele fizike, kalojmë në 20 të tilla, ulen kostot dhe radhët për qytetarët

Mos i humb

Numri i sporteleve fizike në njësitë administrative të Tiranës është ulur nga 60 në 20 të tilla, duke kaluar shumicën e shërbimeve online.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me drejtuesit e njësive administrative, me të cilët bisedoi për vendimin e qeverisë për digjitalizimin e shërbimeve administrative dhe përfitimet që sjell kjo për qytetarët.

“Po mos të ishte për vendosmërinë e kryeministrit, ne do të vazhdonim të ishim vendi i 127 sa i përket digjitalizimit të shërbimeve. Fakti që, në dy mandate, nga vendi i 127 jemi në vendin e 17, do të thotë se e paskemi në dorë të jemi edhe më lart në renditje. Vullneti i qeverisë për të digjitalizuar shërbimet administrative, përkthehet më pas në një shoqëri që është më pranuese ndaj kulturës digjitale. Sigurisht, nuk duam që kjo të ndodhë në mënyrë drastike, duam ta bëjmë në mënyrë graduale, dhe kjo është arsyeja pse në njësitë tona administrative do të kalojmë nga 60 sportele në vetëm 20 të tilla”, tha Veliaj.

Ai bëri të ditur se pavarësisht mbylljes së sporteleve, punonjësit e tyre do të vijojnë punën, sigurisht duke u trajnuar si t’u përgjigjen kërkesave online të qytetarëve dhe emetuar certifikatat, vërtetimet apo shërbime të tjera. Veliaj nënvizoi se, bashkë me AKSH-in, do të nisë trajnimi i punonjësve që nuk do shërbejnë në sportel. “Një pjesë e stafit do jetë aty për të asistuar qytetarët, për t’i mësuar si mund ta marrin shërbimin online”, shtoi ai.

Nga digjitalizimi i shërbimeve do të përfitojnë edhe bizneset. Veliaj deklaroi se edhe shërbimi në sportelet e Drejtorisë së Tatim-Taksave do të kryhet online. Ndërkaq, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë disa projekte të tjera në funksion të digjitalizimit të shërbimeve, siç është “Star 3” apo “One stop shop”, për shërbime që janë ekskluzivisht bashkiake. Ai përmendi edhe aplikacionin “Tirana Ime”, i cili është përmirësuar dhe plotësuar me shërbime të tjera informuese për qytetarët.

Institucioni qendror i Bashkisë së Tiranës do të ketë vetëm tre sportele, ndërsa nëpër njësi të tjera ky numër do të jetë më i ulët. Në njësitë 1 dhe 2, por edhe 3 dhe 4, do të qëndrojë hapur vetëm një sportel, kurse njësitë 5, 6, 7, 10 dhe 11 do të kenë sportelet e tyre. Edhe Njësia 8 dhe 9 do të kenë një sportel të vetëm. Shërbimi në sportel për banorët e zonës administrative në Dajt, Shëngjergj dhe në lagjen 12 do të realizohet në një sportel të vetëm në zonën e Freskut, ndërsa lagjja 13 dhe 14 do të vazhdojnë të kenë sportelet e tyre.

Për njësitë administrative Farkë, Bërzhitë, Petrelë, Baldushk, Krrabë do të shërbehet në një sportel të vetëm në zonën e Farkës, ndërsa për banorët e Vaqarrit, Pezës dhe të Ndroqit, do të shërbehet në sportelin që do jetë i hapur në njësinë Vaqarr. Për shkak të numrit të popullsisë apo të distancës, njësitë Kashar, Zall-Herr dhe Zall Bastar do të vijojnë të mbajnë nga një sportel të hapur.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit