- Dita e Arafatit është një nga dhjetë ditët e vlefshme të Dhulhixhes. Është dita më e mirë e dynjasë pas ditës së Kurban Bajramit, madje disa dijetarë e privilegjuan mbi ditën e Kurban Bajramit dhe disa të tjerë thanë se është dita e Haxhit të Madh, mirëpo më e saktë është se dita e Kurban Bajramit është më e mirë se dita e Arafatit dhe ajo është dita e Haxhit të Madh. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Dita më e madhe tek Allahu është dita e Kurban Bajramit.”[1]
- Arafati është dita e nëntë dhe e parafundit nga dhjetë ditët e Dhulhixhes që janë ditët më të mira të dynjasë. Pra, koha e Arafatit është me vlerë, kurse jeta ikën, frymëmarrjet janë të numëruara, vitet të kufizuara, besimtari nxiton që t’i shfrytëzojë orët e saj dhe ngutet që ta arrijë kënaqësinë e Allahut në këtë ditë.
- Në ditën e Arafatit u përsos feja dhe u plotësua dhuntia e Allahut ndaj myslimanëve. Një çifut i tha Omer ibën Hatabit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “O ti udhëheqës i myslimanëve! Është një ajet në librin tuaj (Kuranin) që e lexoni, po të na kishte zbritur neve çifutëve, ne do ta merrnim ditën e zbritjes së tij për festë!” Omeri i tha: “Cili ajet?” Çifuti i tha: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (El-Maide: 3). Omeri tha: “Ne e dimë kohën dhe vendin në të cilin i ka zbritur ky ajet Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të; ai ishte duke qëndruar në Arafat dhe ishte ditë e xhuma.”[2]
- Allahu e përsosi fenë e Tij në ditën e Arafatit, në haxhin e lamtumirës. Shumica e komentuesve të Kuranit thonë se Allahu e përsosi fenë e Tij duke e ngritur atë më lart se të gjitha fetë, kështu që në atë vit asnjë idhujtar nuk e kreu haxhin me ta, dhe e përsosi duke e përfshirë pjesën më të madhe të detyrimeve dhe ligjeve, hallallit dhe haramit. Pas këtij ajeti zbritën edhe një numër dispozitash, si ajeti i kamatës, ajeti i kelales[3], dhe ajete të tjera.[4]
- Dita e Arafatit tek Allahu është nga ditët më të mira, Allahu çështjen e saj e madhështoi, vlerën e saj e rriti karshi ditëve të tjera dhe në këtë ditë robërit e Tij i nderon dhe u jep mirësi. Në këtë ditë lutjet pranohen, gabimet falen, gjynahet shlyhen, duart e përulura ngriten kah Allahu me përulësi dhe shpresë, dhe Allahu mburret me ata që qëndrojnë në Arafat para melaqeve të Tij.
- Nga vlera e ditës së Arafatit është të betuarit e Allahut në këtë ditë dhe nuk betohet Allahu, përveçse në diçka e cila është madhështore. Allahu thotë: “Për dëshmitarin dhe për atë që dëshmohet.” (El-Buruxh: 3); Për atë që dëshmohet është dita e Arafatit, sepse njerëzit dëshmojnë për të, d.m.th. prezantojnë, tubohen dhe mblidhen në të. Komenti i ajetit erdhi në një hadith të Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili thotë: “Dita e premtimit është dita e Kiametit, dita që për atë dëshmohet është dita e Arafatit dhe dita e dëshmitarit është dita e xhuma.”[5]
- Qëndrimi i haxhilerëve në Arafat na e rikujton tubimin e njerëzve në ditën e Kiametit, ndërsa veshja e ihramit të bardhë na e rikujton vdekjen dhe qefinin. Allahu për ditën e Kiametit tha: “Pa dyshim, në këto (ngjarje) ka këshillë për atë që i druhet dënimit të Ditës së Gjykimit. Ajo është Dita në të cilën do të tubohen të gjithë njerëzit; ajo është Ditë e dëshmuar.” (Hud: 103)
- Nga vlera e ditës së Arafatit është se kjo ditë është teku (el-vetr), në të cilin u betua Allahu dhe tha: “Betohem për çiftin dhe tekun.” (El-Fexhr: 3). Ibën Abasi dhe Ikrimeh dhe Dahaku, Allahu i mëshiroftë, thanë: “Çifti është dita e Kurban Bajramit, sepse është dita e dhjetë, kurse teku është dita e Arafatit, sepse është dita e nëntë e muajit Dhulhixhe.”[6]
- Ebu Zubejr përcjell nga Xhabir ibën Abdullah, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Nuk ka ditë më të mirë tek Allahu se dita e Arafatit. Allahu zbret në qiellin e dynjasë dhe mburret para banorëve të qiellit me banorët e tokës.”[7]
Nga Ummu Seleme, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, vërtetohet të ketë thënë: “Sa ditë e mirë është dita kur zbret Allahu në qiellin e dynjasë.” I thanë: “Oj nëna e besimtarëve! E cila ditë është kjo?” Ajo tha: “Dita e Arafatit.”[8]
Dijetari Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu e përshkroi Veten e Tij se zbret në ditën e Arafatit në shumë hadithe të vërteta.”[9]
- Allahu në ditën e Arafatit e liron nga zjarri i Xhehenemit atë që dëshiron, nga haxhilerët të cilët qëndrojnë në Arafat apo nga myslimanët anekënd botës, të cilët nuk janë në haxh. Pjesëmarrja e përbashkët e tyre në lirimin nga zjarri dhe faljen e tyre në ditën e Arafatit bëjnë që dita, e cila vjen pas Arafatit të jetë festë për myslimanët në të gjithë anët e botës, pavarësisht prezantuan apo nuk prezantuan në haxh. Ndërsa mospjesëmarrja e të gjithë myslimanëve në haxh për çdo vit është mëshirë nga Allahu dhe lehtësim për robërit e Tij, prandaj edhe kryerjen e haxhit Allahu e bëri të detyruar një herë në jetë, e jo për çdo vit.[10]
- Në ditën e Arafatit myslimani duhet të ketë mendim të mirë për Allahun, se ata që qëndrojnë në Arafat do t’i nderojë me falje dhe mëshirë, dhe nuk duhet të dëshpërohet nga mëshira e Allahut.
Abdullah ibën Mubarek, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Në ditën e Arafatit shkova te Sufjan eth-Theurij, dhe e pashë të gjunjëzuar duke qarë. I thashë: “Cili nga njerëzit e tubuar në Arafat i ka punët më keq?” U përgjigj: “Ai i cili mendon se Allahu nuk ua fal atyre (mëkatet, Xhenetin…).”[11]
- Lirimi i besimtarëve nga zjarri dhe falja e mëkateve janë vlerë e ditës së Arafatit dhe kjo vlerë nuk është e veçantë vetëm për haxhilerët që qëndrojnë në Arafat, po është e përgjithshme për të gjithë myslimanët të cilët vepruan me shkaqet e faljes dhe lirimit nga zjarri.
- Vlera e kësaj dite i përfshin të gjithë, ata të cilët janë në haxh dhe ata të cilët nuk janë në haxh, mirëpo haxhiu i cili qëndroi në Arafat e ka një privilegj më tepër, ai e bashkoi vlerën e vendit dhe vlerën e kohës.
- Myslimani në ditën e Arafatit pëlqehet t’i shtojë adhurimet dhe ato vepra të cilat e afrojnë tek Allahu dhe që nëpërmjet tyre shpresohet ta arrijë faljen dhe lirimin nga zjarri. Nga ato vepra është edhe të përmendurit e shpeshtë të Allahut, e në veçanti të shqiptuarit e fjalës la ilahe il-lallah, e cila është “baza dhe themeli i fesë islame, të cilën e përsosi Allahu në këtë ditë.”[12]
- Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Duaja më e mirë është duaja që bëhet në ditën e Arafatit, dhe duaja më e mirë që e kam thënë unë dhe profetët para meje është: la ilahe il-lallahu, uahdehu la sherike lehu, lehul mulku ue lehul hamdu ue huve ala kul-li shejin kadir.”[13]
Në një transmetim tjetër: “Duaja që më tepër lutej Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në ditën e Arafatit ishte: la ilahe il-lallahu, uahdehu la sherike lehu, lehul mulku ue lehul hamdu, bijedihi elhair, ue huve ala kul-li shejin kadir.”[14]
- Shpërblimi vjen sipas llojit të veprës, ai që e liron një skllav, Allahu do ta lirojë nga zjarri atë që e liroi skllavin. Të përmendurit e shpeshtë të Allahut me tehlil (la ilahe il-lallah) dhe realizimi i njësimit të Allahut (teuhidit) myslimanin e bëjnë të shpërblehet si të lirojë skllevër dhe lirimi i tyre për atë që i liroi nga skllavëria e bën të detyruar lirimin e tij nga zjarri.
- Dëshmia e fjalës la ilahe il-lallah është e barabartë me lirimin e skllevërve dhe lirimi i tyre nga skllavëria e bën të detyruar lirimin nga zjarri për atë që i liroi. Ka ardhur në hadith: “Kush thotë në ditë njëqind herë: la ilahe il-llahu uahdehu la sherike lehu, lehul mulku ue lehul hamdu, ue huve ala kul-li shejin kadir, është e barabartë sikurse t’i lirojë dhjetë skllevër, i shkruhen njëqind të mira dhe i shlyhen njëqind të këqija…”[15]
- Shqiptimi i fjalës së teuhidit (la ilahe il-lallah) me çiltërsi dhe sinqeritet “i lan dhe i shlyen gjynahet derisa nuk mbetet gjynah, dhe s’ka vepër që ia tejkalon asaj në vlerë dhe ai që e thotë sinqerisht nga zemra Allahu ia ndalon atij zjarrin e Xhehenemit.”[16]
- Të parët tanë të mirë gjatë kësaj dite bënin përpjekje për në vepra të mira dhe bamirësi. Hakim ibën Hizam, Allahu e mëshiroftë, me vete në Arafat i mori njëqind deve për kurban dhe njëqind skllevër, të cilët i liroi nga skllavëria, dhe kur njerëzit e panë veprën e tij filluan të qajnë dhe të luten duke thënë: “O Zoti ynë! Ky robi Yt liroi nga robërit e tij, ndërsa ne jemi robërit e Tu, o Zot na liro nga zjarri i Xhehenemit.”[17]
Ai që e liron një skllav mysliman, për çdo organ të liruar nga trupi i tij, Allahu do ta lirojë nga zjarri edhe çdo organ të atij që e liroi skllavin.
- Pëlqehet në ditën e Arafatit të shpeshtohet të përmendurit e Allahut, në çdo kohë dhe në të gjitha gjendjet, në këmbë, ulur apo i shtrirë, i hipur në mjet apo duke ecur.
- Njashtu pëlqehet të shpeshtohet tehlili (la ilahe il-lallah), tekbiri (Allahu ekber) dhe tahmidi (elhamdulilah). Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për dhjetë ditët e Dhulhixhes, ku në to bën pjesë edhe dita e Arafatit, thotë: “Shpeshtoni në to tehlilin, tekbirin dhe tahmidin.”[18]
- Nëse dita e Arafatit bie në ditën e xhuma, kjo është mirësi dhe festë e dyfishtë, shkaku i bashkimit të këtyre dy ditëve më të mira në një ditë, dhe shkaku se përputhet me ditën e qëndrimit të Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin me të, në Arafat, dhe shkaku se bashkohen kohët e pranimit të lutjes, ajo e ditës së xhuma pas namazit të ikindisë me qëndrimin e haxhilerëve në Arafat për lutje dhe dua, dhe njashtu shkaku i vlerave të tjera.[19]
- Është bindje e kotë dhe e pabazë ajo që e besojnë disa njerëz se nëse dita e Arafatit bie në ditën e xhuma atëherë haxhi i atij viti është i barabartë me shtatë, shtatëdhjetë apo shtatëdhjetë e dy haxhe, apo edhe më shumë.
- Agjërimi i ditës së Arafatit për ata që nuk janë në haxh është traditë profetike dhe thesar i madh. Agjërimi i kësaj dite i shlyen mëkatet e dy viteve, të kaluarës dhe asaj që vjen: “Agjërimi i ditës së Arafatit, shpresoj dhe llogaris që Allahu t’i falë mëkatet e vitit që kaloi dhe atij që vjen.”; me një transmetim tjetër: “… i shlyen mëkatet e vitit që kaloi dhe vitit të ardhshëm”.[20]
- Më e mira dhe më e përsosura tek agjërimi vullnetar i përcaktuar, ku në të bën pjesë edhe agjërimi i ditës së Arafatit, është që nijeti për agjërim të bëhet natën me qëllim që shpërblimi të jetë i plotë dhe jo i mangët, dhe me ngritjen për syfyr llogaritet se është bërë nijeti.
- Është mirë të nxitet familja, fëmijët dhe ata që i kemi nën përgjegjësi që ta agjërojnë ditën e Arafatit dhe të ngriten për syfyr. Seid ibën Xhubejr, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Zgjoni shërbëtorët tuaj në syfyr për ta agjëruar ditën e Arafatit.”
- Nëse dita e Arafatit bie në ditën e xhuma apo të shtunë, nuk ka pengesë dhe nuk urrehet që njëra nga këto ditë të veçohet me agjërim. Myslimani në këtë rast e agjëron të xhumanë apo të shtunën si ditë që ligjërohet agjërimi i saj, e jo se është ditë e xhuma apo e shtunë.[21]
- Atij që i kanë mbetur ditë nga Ramazani pa i agjëruar, nuk ka pengesë që ta agjërojë ditën e Arafatit me nijet të agjërimit vullnetar, e pastaj t’i kompensojë ato ditë të Ramazanit. Lejohet, sipas mendimit më të saktë, agjërimi vullnetar para se të kompensohen ditët e paagjëruara të Ramazanit, sepse është agjërim i përcaktuar që ik me kalimin e ditës së vet, kurse te kompensimi i ditëve të humbura çështja është më e gjerë dhe ekziston më tepër hapësirë.
- Atij që i ka mbetur ndonjë ditë e Ramazanit pa agjëruar dhe ditën e Arafatit e agjëron me nijet kompensimi të ditës së humbur të Ramazanit, agjërimi i tij pranohet si kompensim dhe shpresohet ta marrë shpërblimin e agjërimit të Arafatit, sipas mendimit të disa dijetarëve, e kështu me kompensimin e ditës së humbur të Ramazanit e merr edhe shpërblimin e agjërimit të ditës së Arafatit. Dijetari Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, është në mesin e atyre dijetarëve që e ka dhënë këtë fetva.
- Por ajo më e mira është që kompensimi i ditëve të humbura të Ramazanit të bëhet jashtë ditës së Arafatit, njëherit ta agjërojë ditën e Arafatit me nijet agjërimi vullnetar, e më pas t’i agjërojë ditët e humbura të Ramazanit dhe kështu të bashkojë në mes të dy mirësive, mirësisë së kompensimit dhe mirësisë së agjërimit të ditës së Arafatit.[22]
- Udhëtarit, përderisa nuk gjen vështirësi ta agjërojë ditën e Arafatit gjatë udhëtimit të tij, i lejohet të agjërojë.
- Atë që e pengon ndonjë arsye e shëndoshë ta agjërojë ditën e Arafatit, si i sëmuri, gruaja me menstruacione apo gjidhënësja, dhe nga tradita e tij apo saj ka qenë ta agjërojë ditën e Arafatit për çdo vit, ai apo ajo do të shpërblehet sipas nijetit, dhe nga pamundësia e agjërimit të kësaj dite le të përkujdeset të veprojë vepra të tjera bamirësie dhe nga ato që ia shlyejnë mëkatet.
Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, me një hadith tha: “Kur robi sëmuret apo është udhëtar, i shkruhen shpërblimet atij, sikurse ka punuar si vendas dhe i shëndoshë.”[23]
- Përkujdesu që gjynahet e tua të perëndojnë (falen dhe shlyhen) me perëndimin e diellit të ditës së Arafatit.
- Tekbiri përcaktuar[24] fillon pas çdo namazi farz prej sabahut të ditës së Arafatit, për atë që nuk është në haxh, kurse për haxhiun prej namazit të drekës në ditën e Kurban Bajramit, dhe përfundon me përfundimin e namazit të ikindisë në ditën e tretë të Teshrikut d.m.th. ditën e katërt të Kurban Bajramit.
- Duaja në ditën e Arafatit shpresohet të pranohet, prandaj është mirë të shpeshtohen lutjet duke kërkuar nga mirësitë e dynjasë dhe ahiretit, duke i ngritur duart gjatë duasë, me përulje dhe shpresë, me lutje dhe me sy të përlotur: “Duaja më e mirë është duaja në ditën e Arafatit.”[25]
- E rëndësishme gjatë duasë është që zemra të jetë prezente dhe jo të jetë e shkujdesur, të ndihet afërsia e Allahut dhe bujaria e Tij. Kjo ndikon më së tepërmi që duaja t’i drejtohet Allahut me sinqeritet dhe me përulje.
- Për myslimanin më së miri është të lutet me ato dua që kanë ardhur në Kuran dhe Sunet, si: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare: 201)
“Zoti im! Ma përmirëso fenë time, e cila është strehimi i çështjeve time, ma përmirëso këtë dynja në të cilën jetoj, ma përmirëso ahiretin në të cilin është kthimi im, dhe ma shto jetën në çdo mirësi dhe ma bëj vdekjen të rehatshme nga çdo e keqe.”
Dhe dua të tjera nga Kurani dhe Suneti, të cilat janë gjithëpërfshirëse, e nëse nuk di nga ato dua atëherë mundet të bëjë dua me fjalë të veta që nuk bien në kundërshtim me fenë e Allahut.
- Në lutjet profetike kërkohej falja e gjynaheve, mëshira, lirimi nga zjarri i Xhehenemit, falja dhe shpëtimi, sinqeriteti, udhëzimi, devotshmëria, virtytshmëria, pasuria, mbuloja nga mëkatet, risku, mbrojtja, shëndeti, fitorja, siguria dhe ajo më e madhja nga gjitha këto, kërkimi i Firdeusit të lartë dhe kënaqësia e shikimit në Fytyrën e Allahut. Andaj këto lutje dhe të ngjashmet me to t’i bëjmë pjesë të duave tona në ditën e Arafatit.
- Ditën e Arafatit duhet përpjekje e gjerë në të përmendurit e Allahut, në lutje, lexim të Kuranit, dhikër të shumëllojshëm, lutje për veten, prindërit, gruan, fëmijët, familjarët, shokët, hoxhallarët dhe dijetarët, për ata që e meritojnë të lutemi për ta dhe për të gjithë myslimanët. Dy herë kujdes të mos pakësosh në këto vepra, sepse kjo ditë më nuk kthehet dhe nuk mund të kompensohet, në krahasim me ditët e tjera.
- Nga lutjet e Ibën Omerit, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, në këtë ditë ishte: “La ilahe il-llahu uahdehu la sherike lehu, lehul mulku ue lehul hamdu, ue huve ala kul-li shejjin kadir. Allahume ihdina bil huda ue zejjina bittakua, ue igfirlena fil ahireti uel ula.”
Pastaj e ulte zërin dhe thoshte: “O Zot! Kërkoj prej Teje nga mirësitë dhe dhuntitë e Tua furnizim të mirë dhe të bereqetshëm. O Zot! Ti urdhërove të Të lutemi dhe ia përcaktove Vetes që ato lutje t’i pranosh, Ti nuk e thyen premtimin Tënd dhe nuk e tradhton marrëveshjen Tënde.
O Zot! Çdo gjë që Ti e do nga e mira, na e bëj të dashur edhe neve dhe na e lehtëso atë, dhe çdo gjë që Ti e urren, na e bëj të urryer edhe neve dhe na largo nga ajo, dhe mos na e merr Islamin, pasi na bëre myslimanë.”[26]
- Myslimani i cili e shpreson në këtë ditë faljen nga Allahu dhe lirimin nga zjarri i Xhehenemit përkujdeset t’i ruajë gjymtyrët nga haramet dhe kujdeset të mos bjerë në mëkate, kërkon falje dhe pendohet tek Allahu për mëkatet, i vendosur të mos u kthehet gjynaheve dhe ndien keqardhje për të kaluarën, dhe këtë gjendje mundohet ta bëjë në përditshmërinë e tij gjatë tërë vitit.
Erdhi në një hadith: “Kjo është një ditë që kush në të e zotëron dëgjimin, shikimin dhe gjuhën, i falet atij.”[27]
- Qëndrimi në Arafat është shtylla më e madhe e haxhit dhe Arafati i tëri është vendqëndrim i vlefshëm, përveç fushës Urane. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Haxhi është Arafat.”[28]
- Haxhilerët pas lindjes së diellit të ditës së nëntë nisen prej Minës për të qëndruar në Arafat. Gjatë rrugës bëjnë telbije (lebejke Allahume lebejke) dhe tekbir (Allahu ekber), ashtu siç vepruan shokët e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur ishin me të në haxhin lamtumirës.
Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Ai që kishte dëshirë të bëjë telbije bënte telbije dhe askush nuk e pengonte, dhe ai që kishte dëshirë të bëjë tekbir bënte tekbir dhe askush nuk e pengonte.”[29]
- Koha e qëndrimit në Arafat fillon kur dielli e kalon zenitin e qiellit, (koha e hyrjes së drekës) dhe zgjat deri në lindjen e sabahut të ditës së Kurban Bajramit.
- Kush nuk qëndroi në Arafat derisa lindi sabahu i ditës së Kurban Bajramit, atij i ka ikur haxhi, kurse kush qëndroi në Arafat, qoftë edhe qëndrim më i shkurtër brenda kohës së përcaktuar të qëndrimit në Arafat, vetëm se e ka zënë haxhin.
- Kush qëndron në Arafat detyrohet të qëndrojë deri në perëndimin e diellit, sepse Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, qëndroi në Arafat deri në perëndimin e diellit dhe tha: “Merrni nga unë ritet tuaja të haxhit.”[30]
Dalja nga Arafati para se të perëndojë dielli është nga veprat e injorancës së kohës para Islamit dhe kjo vepër u kundërshtua me ardhjen e Islamit.
- Kush qëndron gjatë ditës në Arafat dhe prej aty largohet para se të perëndojë dielli, duhet të therë kurban, e nëse paralajmërohet për gabimin e bërë dhe menjëherë kthehet të qëndrojë në Arafat, qoftë edhe para se të lindë sabahu, atëherë nuk detyrohet të therë kurban.
- Kush qëndron në Arafat vetëm gjatë natës, d.m.th. vjen në Arafat pasi të perëndojë dielli i ditës së Arafatit, qëndrimi i tij është i saktë dhe i pranohet dhe nuk duhet të therë kurban.
- Pëlqehet për haxhilerët që namazin e drekës dhe ikindisë ta bashkojnë në kohën e drekës dhe ta falin namazin me imam, ashtu si veproi Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e nëse nuk kanë mundësi të veprojnë kështu, atëherë njëri nga haxhilerët e thërret ezanin dhe e falin namazin në vendin (çadrën) ku qëndrojnë në Arafat.
- Pëlqehet për haxhiun që gjatë qëndrimit në Arafat ta angazhojë veten me të përmendurit e Allahut, me lutje dhe me lexim të Kuranit. Përpjekja në lutje gjatë ditës së Arafatit është e vërtetuar në fjalën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “Lutja më e mirë është lutja që bëhet në ditën e Arafatit.”[31]
- Dita e Arafatit është ditë e faljes dhe e lirimit nga zjarri. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Nuk ka ditë ku Allahu më së shumti i liron robërit e Tij nga zjarri i Xhehenemit si në ditën e Arafatit. Ai zbret atë ditë dhe mburret para melaqeve dhe iu thotë: Çfarë dëshirojnë ata?”[32]
Fjala e Allahut “Çfarë dëshirojnë ata?” drejtuar melaqeve, edhe pse Allahu është më i Dijshmi, e ka për qëllim “çfarë dëshirojnë ata që i braktisën familjet dhe vendlindjet, e harxhuan pasurinë dhe i lodhën trupat; d.m.th. ata nuk dëshirojnë diçka tjetër përveç faljes, kënaqësisë së Allahut dhe afrimit tek Allahu dhe lirimit nga zjarri i Xhehenemit, dhe kushdo që vjen me këtë qëllim për të nuk ka frikë se do të refuzohet.”
Fjalët bëjnë të kuptosh sikurse për qëllim është “Atë që e dëshiruan ata, ajo do t’u jepet, dhe shkallët e tyre do t’u rriten sipas veprave dhe qëllimeve të tyre.”[33]
- Me një hadith Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Allahu mburret para melaqeve me ata që qëndrojnë në Arafat dhe u thotë: Shikoni robërit e Mi, Më kanë ardhur të rraskapitur dhe pluhurosur.”[34]
- Dijetarët thonë: Mburrja e Allahut para melaqeve me haxhilerët “aludon se ata janë të falur dhe se ai nuk mburret me mëkatarë dhe gjynahqarë vetëm se pasi të pendohen dhe t’u falet atyre.”[35]
- Dita e Arafatit është ditë feste për ata që qëndrojnë në Arafat, është ditë e faljes dhe lirimit nga zjarri i Xhehenemit, prandaj nuk pëlqehet për haxhiun ta agjërojë këtë ditë, me qëllim që ta ruajë fuqinë për dhikër dhe dua, dhe e ndjek kështu edhe traditën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili thotë: “Dita e Arafatit, Dita e Kurban Bajramit, ditët e Teshrikut (tre ditët pas Bajramit), janë festë për myslimanët dhe ato janë ditë ngrënieje dhe pirjeje.”[36]
- Dhe për në fund….
Ai që nuk pati mundësi këtë vit të qëndrojë në Arafat, le t’ia japë hakun Allahut që e di nga vendlindja e tij.
Ai që nuk pati mundësi ta kalojë natën në Muzdelife, le ta shtojë vullnetin e tij për t’iu bindur Allahut dhe për t’iu afruar Allahut në vendlindjen e tij.
Ai që nuk pati mundësi të qëndrojë në luginën e Minas, le të shpresojë dhe le t’ia ketë frikën Allahut ashtu si e meriton në vendlindjen e tij.
Ai që nuk pati mundësi të therë kurban në Mina, le ta therë (mposht) epshin këtu në vendlindje duke e arritur qëllimin e tij.
Ai që nuk pati mundësi ta vizitojë Qabenë për shkak largësisë, le ta synojë Zotin e Qabesë me lutje dhe me shpresë, sepse Ai është më afër atij që i lutet dhe e shpreson sesa vetë damari i qafës së tij.[37]
E lusim Allahu të na bëjë nga ata që ua pranon veprat, të na përfshijë në faljen dhe mëshirën e Tij dhe të na bëjë nga ata, që i liron nga zjarri i Xhehenemit.
Falënderimi i takon Allahu, Zotit të botëve.
Dr. Muhamed Salih El-Munexhid
Nga arabishtja: Irfan JAHIU