Ditmir Bushati e mohon, por Shqipëria megjithatë votoi kundër… Amerikës!

Mos i humb

Në vazhdën e polemikës për votimin e Shqipërisë në OKB, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati doli sot në TV Klan për të shigjetuar presidentin e Republikës. Ai me një ton ironik e akuzoi kreun e shtetit duke thënë se as ai as ata që e quajnë votimin e Tiranës si një votim antiamerikan nuk e kanë lexuar rezolutën që u votua të enjten me 128 vota pro në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Duke mos u mjaftuar me këtë, Bushati shtoi se në rezolutë nuk ka asnjë paragraf as për SHBA-në as për presidentin Donald Trump.

Lapsi.al u fut në faqen e OKB-së dhe shkarkoi tekstin e plotë të rezolutës. Ashtu sikurse thotë Ditmir Bushati, aty nuk gjendet as fjala SHBA, as përmendja e emrit të presidentit të këtij vendi. Por, loja me fjalët, pas të cilave shefi i diplomacisë shqiptare fshihet, përfundon këtu. Po të lexohet rezoluta, referencat janë të qarta.

Në 6 dhjetor, Amerika njohu qytetin e shenjtë të Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit dhe vendosi ta zhvendosë Ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem. Rezoluta dënon pikërisht këtë akt. Ajo e quan atë “nul”, “pa asnjë efekt juridik” dhe i kërkon çdo vendi që mos e zhvendosë ambasadën e tij në qytetin e shenjtë. Pra, fryma e saj është krejtësisht kundër aktit të presidentit Trump. Ajo vazhdon me një gjuhë edhe më të fortë duke e konsideruar veprimin e SHBA-ve si një tendencë negative që “do të vinte në rrezik zgjidhjen për ekzistencën e dy shteteve”. Që në pjesën e saj të parë rezoluta shpreh keqardhjen për veprimin e Donald Trump në 6 dhjetor.

Pra, loja e fjalëve e ministrit Bushati se aty nuk përmendet as Amerika as Trump është thjesht një fshehje pas gishti.

Këtë e demonstron edhe fakti se SHBA vendosi veton kur kjo nismë u paraqit në Këshillin e Sigurimit. Këtë gjë e përforcojnë edhe kërcënimet për prerje fondesh që bëri personalisht presidenti Trump para votimit, apo shantazhi i ambasadores amerikane në OKB, Nikki Haley, e cila tha se vendi i saj do t’i mbante shënim shtetet që votonin pro rezolutës. Pra, shkurt dhe shqip, kur shteti amerikan e sheh atë si një rezolutë kundër tij, interpretimi i Ditmir Bushatit bëhet i pavlefshëm.

Nëse ashtu sikurse mendojnë shumë zëra publikë, Qeveria shqiptare veproi drejt duke mbajtur në OKB, një qëndrim koherent dhe që i bën nder vendit, ajo nuk ka pse fshihet tani më pas justifikimesh të tilla pa thelb. Shqipëria ka votuar kundër Amerikës./Telegrafi/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit