Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mori sot si të pandehur ish-Kryeministrin Sali Berisha, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike, lidhur me privatizimin e ish-kompleksit të sportit “Partizani”.
Në një prononcim për mediet pas daljes nga SPAK, Berisha tha se gjatë qëndrimit në SPAK deklaroi se është një piramidë fund e krye mashtrimi.
Berisha theksoi se u thirr si i pandehur për ato akuza që ka pasur.
“Nuk m’u duk se kishte akuzë tjetër. Kjo është vazhdim i një hakmarrje politike, zbatim i një urdhri mafioz politik. Nuk ekziston asnjë provë, fakt e dokument që të dëshmojë se në gjithë këtë proces ka ndodhur shkelja më e vogël e ligjit, sepse nuk ka asnjë firmë të Sali Berishës për kthim dhe kompensim”, tha ai.
Berisha theksoi se i gjithë qëllimi i kësaj është t’i kapin kokën PD-së. “I garantoj shqiptarët se Edi Rama do të përgjigjet për këtë shumë shpejt”, tha ai.
Berisha theksoi se është paraqitur në SPAK sapo e kanë thirrur, ndërsa solli në vëmendje se masat ndaj tij u vendosën pa e thirrur dhe pa e pyetur.
I pyetur nëse do të jetë ai kandidati për kryeministër i PD-së, Berisha tha se “pas fitores së zgjedhjeve do të ketë një garë për kryeministër për cilindo që dëshiron të vijë ta sfidojë”.
Berisha shtoi se “të qenurit i burgosur politik është turp i sistemit. Unë jam në betejë, jeta ime ka qenë e do mbetet në betejë”.
Noka-Dumanit: Je pasardhës i denjë dhe fundin do ta kesh si Koçi Xoxe
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka e cilësoi SPAK organizatë kriminale ndërsa foli para mbështetësve që u tubuan në hyrje të SPAK ndërsa ish-kryeministrit Berisha iu komunikua akuza zyrtare pvr dosjen “Partizani”.
“Sot, edhe ata që ishin partizanët më të mëdhenj të të ashtuquajturës drejtësi e re,, shohin me sytë e tyre dhe janë të bindur se këtu vetëm drejtësi nuk ka, këtu ka një narkodrejtësi”, u shpreh Noka.
Sipas tij, opozita është nën sulm.
“I them Altin Dumanit se je një pasardhës i denjë i Aranit Çelës. I them Altin Dumanit se je një pasardhës i denjë i Koçi Xoxes dhe fundin do ta kesh si Koçi Xoxe”, u shpreh Noka.