Rrëshqitjet e tokës dhe përmbytjet e mëdha, të shkaktuara nga tajfuni Yagi kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 143 personave në Vietnam, ndërsa 58 të tjerë janë ende të zhdukur, thanë sot autoritetet, ndërsa përpjekjet për rimëkëmbjen dhe ndihmën vazhdojnë.
Tajfuni Yagi – më i forti që ka goditur Vietnamin verior në rreth 30 vjet – përfshiu rajonin të shtunën duke sjellë erëra të egra dhe shira të rrëmbyeshëm.
Shumica e viktimave vdiqën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës.
Më shumë se 800 persona u plagosën gjithashtu.
Tetë persona ishin ende të zhdukur pasi një urë e ngarkuar në veri të Hanoi u shemb të hënën, duke përfshirë disa makina, kamionë dhe motoçikleta në Lumin e Kuq.
”Lumi tani ka arritur nivelin më të lartë të ujit në 16 vitet e fundit”, raportoi gazeta ”VnExpress”.
Banorët e zonave të banuara fqinje në Hanoi u është dashur të ikin për të shpëtuar nga uji.
Sipas autoriteteve lokale, niveli i ujit të lumit pritej të rritet më tej.
Yagi kishte përfshirë më parë Filipinet dhe Kinën, duke shkaktuar vdekje dhe shkatërrim edhe atje.
Stuhia tropikale dëmtoi më shumë se 100 000 shtëpi, shumë prej të cilave janë plotësisht nën ujë.
Qindra mijëra pemë u shkulën në disa provinca.
Rreth 800 000 kafshë, kryesisht shpendë dhe bagëti, ngordhën gjithashtu.
Sot vazhdon të bjerë shi i dendur në disa pjesë të vendit.
Meteorologët parashikojnë edhe reshje të dendura për ditët në vijim.
Rritja e ngrohjes globale rrit mundësinë e stuhive të forta.