Dr. Mustafa Bajrami i shkruan Letër të Hapur Kryeministrit Haradinaj dhe Kryetarit të Prishtinës Ahmeti

Mos i humb

Është tepër prekëse përmbajtja e letrës të cilën Dr. Mustafa Bajrami i shkruan kryeministrit të vendit dhe kryetarit të Prishtinës. Sipas asaj që lexojmë në te, qytetarët e një lagjeje të Prishtinës janë në hall të madh nga hajnat dhe qentë endacak.

Ai thotë se edhe tri herë më parë ka shkruar në lidhje me këtë shqetësim, por asgjë nuk është ndërmarrë deri më tani. Një shtëpi vjedhet pesë herë dhe shumë të tjera vjedhen vazhdimisht por deri më tani asgjë nuk është zbuluar.

Për çudi, Dr. Bajrami thotë se ky nuk është shqetësimi i tyre më i madhi. Ai thotë se shqetësimi në përmasa tmerri janë qentë endacak që po sulmojnë fëmijët e lagjes ku jeton ai. Ai thotë se qytetarët e asaj lagjeje janë duke menduar të ikin nga andej, sepse aty u është bërë jeta e padurueshme nga qentë e çartur endacak.

I pyetur nëpërmes telefonit nga KosovaPost në lidhje me shqetësimet që i ka shprehur disa herë, ai thotë se edhe pas disa herë vjedhjeve që i janë bërë në shtëpinë e tij, deri më tani asgjë nuk është bërë. “Jam ankuar tri herë në Sekretariatin për Ankesa pranë Policisë së Kosovës, por, përveç llafeve e premtimeve, ndodnjherë edhe kinse interesimeve, deri më tani asgjë nuk është zbuluar”, thotë Dr. Bajrami.

Në pyetjen rreth qenve endacak, ai thotë se lagjja ku jeton duket e pa fëmijë. Atje nuk lozin fëmijët në rrugë e as duket dikush para shtëpive. Fëmijët nuk guxojnë të dalin jashtë e as të shkojnë në shkollë pa përcjellës. Dr. Bajrami përmend edhe atë se të moshuarit nuk guxojnë të shkojnë në shitore pa patur me vete hunjë apo mjete tjera mbrojtëse.

Më poshtë lexojeni Letrën e tij të plotë që i ka dërguar Kryeministrit të vendit z. Haradinaj dhe Kryetarit të Prishtinës, z. Shpend Ahmeti:

Letër e hapur  

Kryeministrit të Kosovës z. Ramush Haradinaj, dhe Kryetarit të Prishtinës, z. Shpend Ahmeti!

Ekselenca!

Më lejoni të Ju drejtohem me këtë letër të hapur duke shpresuar se secili nga Ju, fillimisht si prindër që jeni, do ta dëgjoni zërin tonë gati të shtjerrë nga thirrjet dhe britmat që i bëjmë për çdo ditë të lume. Më mban shpresa se Ju nuk i keni harruar premtimet që i keni dhënë në kohën kur politikanët dinë mirë të premtojnë. Mbesim me shpresën se Ju do të merreni edhe me dertet tona, sikur që, natyrisht, merreni me dertet dhe shqetësimet edhe të fëmijëve Tuaj.   

I nderuari Kryeministër i Kosovës, z. Ramush Haradinaj,

I respektuari Kryetar i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti!

E di se keni obligime shumë më të mëdha se të merreni me problemet e qytetarëve të komunës së Prishtinës. E di se po kaloni nëpër procese shumë të rëndësishme për vendin. Ama, edhe ne si pjesë e shoqërisë që Ju e udhëhiqni, kemi probleme të mëdha me sigurinë e jetës sonë. Ne jemi të atakuar nga hajnat që janë përhapur gjithandej dhe nuk po guxojmë t’i lëmë shtëpitë tona vetë edhe atëherë kur me urgjencë duhet të dalim nga ato. Hajnat lirshëm po na vjedhin, të lirë po shëtisin, të lirë hyjnë nëpër shtëpitë tona dhe të lirë e me armë në dorë po na plaçkitin. Imagjinoni, ka shtëpi që është vjedhur 5 herë, e të rralla janë ato që së paku njëherë nuk janë plaçkitur. Na këshilloni ç’të bëjmë? Të vetëmbrohemi për shkak se deri më tani asnjë rast nuk është zbuluar, apo të bëjmë sabër deri në ditën kur do të detyrohemi ta lëshojmë Kosovën.

A mund të besoni o z. Kryeministër e Ju o z. Kryetar i Prishtinës se ky nuk është tmerri më i madh që kemi, ani pse jeta e familjarëve tanë është rrezikuar nga hajnat që po na plaçkitin në pikë të ditës. Kemi një shqetësim edhe më të madh se ky.

Është hera e katërt që shkruaj për këtë tmerr që na ka kapluar. Nuk di si të shkruaj ndryshe, ku të shkojmë e kujt t’i drejtohemi me këto letra të hapura. Na thuani, Ju lutem: Si do të ishit ndjerë nëse nuk do të kishit guxuar t’i lenit fëmijët Tuaj të luanin në oborret e shtëpive Tuaja? A do të kishit qenë në gjendje të punonit rehat në zyre po të kishit ditur se fëmijët Tuaj nuk guxojnë të dalin në rrugë? Apo, si do të ishit ndjerë kur në mëngjes do të kishit dalë për të blerë bukë, e me vete të merrnit hunjë gardhi për tu mbrojtur nga qentë endacak? Çfarë përjetimi do të kishit pasur kur njerëzit e mëhallës Ju kishin parë teksa Ju vraponi për t’i trembur qentë që të mos i hanë fëmijët Tuaj? Dhe, na thuani, çka do të kishit menduar e thënë për kryeministrin e vendit e për kryetarin e komunës po të ishit Ju në pozitën kur familjarët e fëmijët të ishin sulmuar vazhdimisht nga qentë e çartur endacak?

Po shpresojmë se do t’i dëgjoni thirrjet tona. Po shpresojmë se do të ndërmerrni diçka për të siguruar jetën edhe të fëmijëve tanë. Dhe, sikur që vazhdimisht po Ju lusim, sot, ani pse me zemër të thyer, paraprakisht Ju falënderojmë e Ju dëshirojmë shëndet e siguri, Juve dyve personalisht, dhe domosdo, edhe familjarëve dhe fëmijëve Tuaj…!/Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit