Dritë në tunel, deri në fundvit vendoset për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës

Mos i humb

Çështja e liberalizimit të vizave do të diskutohet në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian më 13 tetor.

Kështu ka njoftuar Presidenca Çeke, e cila nëpërmjet një letre dërguar shteteve anëtare të BE-së thuhet se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën është tejet i vonuar. Ndërkohë njohës të integrimeve vlerësojnë se deri në fund të vitit mund të merret vendimi për largimin e vizave për kosovarët.

Liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor. Presidenca Çeke me anë të një letre, të cilën e ka dërguar te shtetet anëtare të BE-së, thuhet se liberalizimi i vizave është element kyç në procesin e integrimeve të Kosovës në BE, që tashmë është tejet i vonuar. Tutje në letër thuhet se Kosova është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor, i cili akoma nuk e ka siguruar regjimin pa viza me BE-në.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare janë optimistë se liberalizimi i vizave do të ndodhë gjatë këtij viti. Profesori i diplomacisë dhe negocimit ndërkombëtar në Universitetin e Parisit, Valon

Murtezaj, ka thënë për Radio Kosovën se Kosova ka kohë që i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe sipas tij në vjeshtë të këtij viti mund të merret vendimi.

“Kosova ka kohë që i ka plotësuar të gjitha kriteret teknike dhe të tjera, të cilat kanë qenë në udhërrëfyesin e BE-së, prandaj është momenti i fundit që BE-ja t’i ofrojë qytetarëve të Kosovës lirinë e lëvizjes. Në vjeshtë të këtij viti pra, mund të merret vendim kryesor që do të thotë se qytetarëve të Kosovës do t’u hiqen vizat”, deklaroi Murtezaj.

Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, ka deklaruar se këtë vit mund të merret vendim, ndërkohë që vizat do të largohen vitin e ardhshëm.

“Procesi i liberalizimit të vizave mund të ndodhë, nuk mendoj që në fund të këtij viti, por që të paktën gjatë këtij viti do të merret vendimi për largimin e vizave, tha Arifi.
Lulzim Peci, nga KIPRED, ka deklaruar se për shkak të qëndrimit të Francës, e cila dikur ishte kundër liberalizimit të vizave, e tani po e përkrahë atë, regjimi i vizave do të mundë të ndodhë shpejt për kosovarët.

“Mendoj që kjo sivjet do të ndodhë, meqë Franca e ka ndryshuar qëndrimin dhe nuk besoj që pritet ndonjë problem i madh. Nuk është tani problemi politik, tash është çështje procedurale brenda

BE-së”, shtoi Peci.
Deri tani, Komisioni Evropian ka rekomanduar disa herë që Kosovës t’i liberalizohen vizat, pasi sipas këtij Komisioni Kosova i ka plotësuar kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian. Megjithëkëtë, Kosova mbetet i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor i cili nuk ka liberalizim vizash me BE-në.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit