BARIŞ SEÇKİN
Ekspertët italianë për politikën e jashtme kanë theksuar se nuk presin të dalë ndonjë vendim për sanksione ndaj Turqisë në Samitin e ardhshëm të Liderëve të Bashkimit Evropian ku do të diskutohet për marrëdhëniet Turqi-BE.
Akademikja italiane, Valeria Giannotta dhe ish-ambasadori i Italisë, Carlo Marsili i cili i njeh mirë të dyja palët, Turqinë dhe rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE kanë bërë dhënë deklarata për Anadolu Agency (AA) lidhur me samitin kritik dhe zhvillimet në Mesdheun Lindor.
Marsili tha se tensionet në marrëdhëniet mes Turqisë dhe BE-së janë të larta dhe se Franca me Qeverinë e Greqisë dhe Qipros greke po qëndrojnë mbi këtë çështje.
Duke vënë në dukje se nga samiti mund të ketë vendime të tjera dhe jo sanksione ndaj Turqisë, Marsili tha:
“Kam përshtypjen se nuk do të ketë ndonjë vendim sanksionues nga Këshilli më 10-11 dhjetor, sepse ky vendim kërkon unanimitet të votave. Me aq sa kam dëgjuar nuk ka unanimitet për këtë çështje. Edhe Italia nuk është pro sanksioneve, në të njëjtën mënyrë edhe Gjermania që ka presidencën e radhës në BE nuk mendoj se është pro kësaj. Gjermania ka një peshë si kryesuese e radhës në BE. Mendoj se edhe Hungaria dhe Polonia nuk do të pranojnë idenë e sanksioneve ndaj Turqisë”.
Lidhur me Mesdheun Lindor, që është një prej fushave që ka rritur tensionet kohët e fundit Turqi-BE, Marsili tha se “Besoj që Turqia duhet të këmbëngulë për të siguruar që të kuptohet mirë çështja e ujërave territoriale dhe zonës ekskluzive ekonomike të saj në Mesdheun Lindor. Këtë duhet ta shpjegojë mirë”.
“Diplomacia turke ka shumë punë për të bërë”
“Është një situatë e çuditshme që një vend si Turqia të ketë vështirësi të dërgojë anijen e saj dhe të kryejë hulumtime në Mesdheun Lindor ku ajo ka një vijë bregdetare prej 1.600 kilometra”, nënvizoi Marsili i cili shtoi se “Në bazë të kësaj qëndron fakti se Greqia kufijtë e Zonës së saj Ekskluzive Ekonomike (ZEE) i fillon nga ishujt, por që kufijtë e ZEE duhet të fillojnë nga toka kryesore dhe jo nga ishujt”.
“Sipas tezës së Greqisë, zona nga ishulli Meis (Kastellorizo) e deri në ishullin e Qipros është zonë greke”, tërhoqi vëmendjen Marsili.
“Dhe jo vetëm kjo, por edhe që askush në BE nuk e njeh Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC) ku si rrjedhojë e gjitha zona përreth ishullit bëhen ujëra të Qipros greke. Turqia nuk mund t’i thotë ‘ok’ kësaj. Kjo gjithashtu është e pakuptimtë. Ishulli Kastellorizo është në një distancë vetëm 20 minuta me anije nga ishulli Kaş. Ndërsa disa orë nga ishulli Rodos. Çdo gjë këtu duhet të rishikohet”, tha ai.
Marsili thekson se “Diplomacia turke ka shumë punë për të bërë që të sigurojë që të kuptohet mirë papranueshmëria e retorikës së palës greke. Është e papranueshme që një vend i cili ka një vijë bregdetare prej 1.600 kilometra të mos mund të dërgojë anijen e saj jashtë. Përse? Sepse grekët thonë ‘jo’, sepse ‘këto janë ujëra greke’. Më falni por kjo është e papranueshme”.
Më tej ai ka rikujtuar se Italia në Marrëveshjen e Paqes të Parisit 1947 i ka lënë Greqisë 12 ishujt në kushte të caktuara. “Duhet qëndruar me këmbëngulje dhe mbi këtë çështje. Sipas Marrëveshjes së Paqes të Parisit 1947, ndodhet kushti që Greqia nuk duhet të militarizojë këto ishuj, por Greqia i ka militarizuar ato. Greqia nuk ka zbatuar dispozitat e kësaj marrëveshjeje”, tha Marsili.
“Mendoj se duhet të kalojë nga tryeza e negociatave”
Ndërkohë shkrimtarja dhe akademikja italiane, Valeria Giannotta ka bërë të ditur se atmosfera në Bruksel është më e tensionuar kundër Turqisë në krahasim me Samitin e mëparshëm të Liderëve të BE-së dhe se pesimizmi kundër Ankarasë kryesohet nga Franca dhe Qiproja greke.
“Mendoj se disa vende, përfshirë Italinë, Spanjën dhe Gjermaninë kanë ndërmjetësuar me një axhendë pozitive dhe me një qëndrim të moderuar me Turqinë”, tha Giannotta, duke shtuar se “Por, për shkak të grindjeve verbale mes Ankarasë dhe Parisit kohët e fundit, presioni i fortë francez kundër Turqisë e bën këtë herë atmosferën edhe më të ashpër”.
“Kam dyshimet se sanksionet do të dëmtojnë edhe interesat e Evropës e cila Turqinë e sheh si një partner të rëndësishëm tregtar. Po i referohem në veçanti Italisë dhe Gjermanisë sepse ato janë eksportuesit kryesorë në Turqi”, tha Giannotta duke potencuar se nga Brukseli mund të dalë një dënim i fuqishëm ndaj Turqisë.
Pasi nënvizoi se të gjithë duhet të mendojnë dhe të thellohen tek përgjegjësitë e tyre që Evropa të zhvillojë një dialog konstruktiv me Ankaranë, Giannotta tha se “Tensionet në Mesdheun Lindor janë një produkt i strategjive miope të Evropës kundrejt ishullit të Qipros. Turqia vazhdon të jetë një partner strategjik i rëndësishëm për Evropën. Mendoj se duhet të kalojë nga tryeza e negociatave çdo zgjidhje që i intereson Turqisë duke lënë mënjanë provat e njëanshme të forcës për të dyja palët”.


