Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka bërë të ditur se ai do të jetë qytetari i parë në Izrael që do të marrë vaksinën kundër koronavirusit të ri (COVID-19).
Komentet e kryeministrit Netanyahu erdhën pas mbërritjes së grupit të parë prej 100 mijë dozave të vaksinës Pfizer.
“Kam besim në vaksinën Pfizer dhe do të jem i pari që do të vaksinohem, të jem një model për pjesën tjetër”, tha Netanyahu.
Korporata e Transmetimit Izraelit tha se një avion mallrash mbërriti nga Belgjika në Aeroportin Ndërkombëtar Ben Gurion, afër Tel Avitit, me 100 mijë doza në bord.
Vaksinat u transferuan në një depo të veçantë e cila ishte përgatitur për ruajtjen e tyre.
Një grup tjetër prej 500 mijë dozash pritet të mbërrijë në ditët e ardhshme si dhe 1 milion vaksina të tjera në javën e ardhshme.
Izraeli ka një kontratë me prodhuesin amerikan të ilaçeve Pfizer për ta furnizuar atë me vaksinën.


