Enigma e re nga Egjipti, gjenden mumiet “gjuhëarta”

Mos i humb

Arkeologët kanë zbuluar disa mumje të lashta egjiptiane me copa floriri në vend të gjuhës.

Sipas “Science Alert”, zbulimi u bë në varrezën Quweisna në deltën e Nilit qendror. Mumiet gjuhëarta u gjetën në një shtesë të re të sitit arkeologjik, ku dhjetëra trupa të tjerë janë varrosur gjatë tre  periudhave të ndryshme në Egjiptin e vjetër.

Disa prej skeleteve i kanë kockat të lyera me flori, ndërsa të tjera janë varrosur me flori në formë brumbujsh e lulesh lotusi. Gjuhët e arta janë disi enigmë, edhe pse janë gjetur më parë.

Ekspertët mendojnë se në Egjiptin e lashtë, një gjuhë floriri ishte e nevojshme për të patur marrëdhënie të mira me hyjninë e botës së nëndhenshme, Osiris. Njësoj si Hadi në Greqi, Osiris jetonte midis të vdekurve dhe kishte vendosur ligjin e heshtjes. Shpesh, bota e nëndhenshme në Egjipt quhej “Toka e Heshtur” dhe Osiris “Zoti i Heshtjes”.

Mesa duket, Osiris e përçmonte zhurmën ndaj dhe funeralet egjiptiane ishin të heshtura. Vetëm kur goja e një mumieje ishte e hapur gjatë përgatitjes për jetën e përtejme, mund të luhej muzikë apo dëgjohej ndonjë tingull.

Ndoshta gjuhët e arta i lejonin mumiet të “flisnin” pa bërë zhurmë. Floriri është përdorur shpesh në kulturën egjiptiane për zbukurime sepse lidhej me besimin ndaj perëndisë së diellit, Ra-së. Ndoshta gjuha e artë përfaqëson një vijë drite në botën e ftohtë të nëntokës.

Megjithatë, pa prova të tjera, gjithë çfarë mund të thonë zbuluesit janë vetëm hipotezat. Zyrtarët shprehen se mumiet e gjetura janë në gjendje jo të mirë dhe sekretet e tyre po dekompozohen bashkë me to.

Gjuhët e tyre të arta po përpiqen të thonë diçka, por ajo që mund të dëgjojmë është vetëm heshtja.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit