“Fokusi i punës së OSBE-së në Shqipëri është korrupsioni”

Mos i humb

Në galerinë e Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë është hapur një ekspozitë me punime të nxënësve të kësaj shkolle, me temë korrupsionin.

Në ekspozitë u shfaqën 25 punimet me piktura më të mira të punuara nga rreth 70 që u paraqitën gjithsej, si pjesë e një konkursi të ideuar nga Misioni i OSBE-së në Shqipëri.

Qëllimi i kësaj ekspozite është rritja e ndërgjegjësimit dhe diskutimeve mes të rinjve për korrupsionin dhe luftën kundër tij.

Në fjalën e tij në hapje të ekspozitës njëditore, kryetari i Misionit të OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, tha se fokusi i punës së Misionit të OSBE-së në Shqipëri është korrupsioni.

“Ne e kemi diskutuar që në fillim të vitit hapjen e një ekspozite të tillë për korrupsionin dhe më ka bërë shumë përshtypje cilësia e rezultateve. Korrupsioni është një fenomen që përballemi që në moshë të hershme. Menduam që këtë herë ta fillojmë edhe me artistët më të rinj”, u shpreh Borchardt.

Ai tha më tej se, “Në renditjen e indeksit të Transparency International ka pasur një rënie të Shqipërisë që nga viti 2016 edhe pse ka pasur shumë përpjekje, që nga Policia e Prokuroria, për t’i sjellë njerëzit para drejtësisë, por e ndjejmë që kjo ka nevojë për një qasje të shumëanëshme”.

Në përfundim të aktivitetit Borchardt së bashku me drejtuesit e shkollës ndanë çmimet për punimet më të mira të ekspozuara, ku në vend të parë u rendit Erlind Fusha, ndërsa në vendin e dytë Denaida Hajdari.

Misioni i OSBE në Shqipëri e konsideron artin si një mjet të fuqishëm për rritjen e ndërgjegjësimit, reflektimit dhe reagimit kundër dukurive të ndryshme. Në dy vitet e shkuara, OSBE në bashkëpunim me Universitetin e Arteve në Tiranë organizoi ekspozita-konkurs me temë “ekstremizmi i dhunshëm”, “përballja me të shkuarën” dhe “krimi mjedisor”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit