Një breshëri sulmesh raketore ruse në Kiev ka shkaktuar vdekjen e të paktën tre personave, përfshirë një fëmijë, sipas autoriteteve ukrainase.
“Në Dniprovskyi dhe Desnianskyi janë raportuar 14 të plagosur, 9 prej të cilëve janë shtruar në spital,” tha kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko në Telegram.
Sipas administratës ushtarake në Kiev, qyteti u sulmua sot me raketa të lëshuara nga toka rreth orës 3 të mëngjesit.
“Sot është dita e fëmijëve. Dhe rusët po kryejnë një tjetër sulm në kryeqytetin tonë dhe po vrasin. Vrasin fëmijë ukrainas”, shkroi kreu i administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko, në Telegram.
“Të gjitha ngjarjet e planifikuara për Ditën e Fëmijëve në Kiev u anuluan për shkak të sulmeve me raketa”, tha Klitschko.
Shtabi i përgjithshëm ukrainas shkroi në Facebook se Rusia kishte përdorur dhjetë raketa “Iskander” me rreze të shkurtër veprimi në sulmin në Kiev, duke shtuar se të dhjetë raketat ishin shkatërruar nga Forcat Ajrore të Ukrainës.
Raketat “Iskander” konsiderohen me rreze të shkurtër. Megjithatë, sipas ekspertëve ushtarakë, ato mund të pajisen me koka bërthamore dhe distanca e tyre mund të rritet përtej 500 kilometrave të specifikuara.
Rusia, aktualisht po bombardon fuqishëm kryeqytetin ukrainas.
Në maj, Kievi u godit nga një numër i madh raketash dhe dronësh krahasuar me muajt e tjerë, që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë më shumë se 15 muaj më parë.