Peleshi: Shembull konkret se NATO dhe aleatët janë më të fortë së bashku

Mos i humb

Stërvitja shumëkombëshe “Defender Europe ‘23” përmbylli aktivitetet e saj në territorin e Shqipërisë.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, në garnizonin e Zall-Herrit, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi vlerësoi se kjo stërvitje, përveçse testoi elementët e dislokueshmërisë dhe ndërveprueshmërisë në përgjigje të krizave, në një diapazon të gjerë operacionesh si dhe aftësitë e potencialet e vendeve pritëse, transmetoi edhe një mesazh shumë të fuqishëm, atë të unitetit.

“Stërvitje të tilla demonstrojnë qartazi angazhimin e SHBA-së dhe NATO-s si garantuese të rendit dhe sigurisë në zonën euroatlanetike. “Defenderi” përbën një shembull të qartë dhe konkret të faktit se NATO dhe aleatët janë më të fortë së bashku, duke kontribuuar dhe investuar në rritjen e kapaciteteve mbrojtëse kolektive”, theksoi Peleshi.

Peleshi tha se Shqipëria dëshmoi se ofron një eksperiencë të shkëlqyer në drejtim të pritjes dhe zhvillimit të stërvitjeve ushtarake në të tilla përmasa, duke rikonfirmuar aftësitë e Forcave të Armatosura për të qenë të ndërveprueshme me ushtritë simotra të Aleancës.

“Si ministër i Mbrojtjes shpreh mbështetjen e gjithanshme të qeverisë si dhe angazhimin tim personal se do të punojmë pareshtur për modernizimin e Forcave të Armatosura me qëllim që ato të jenë të pajisura, të trajnuara dhe të mbështetura në çdo kohë, për të bërë të mundur përmbushjen e misionit kushtetues dhe detyrimeve në kuadër të NATO-s”, deklaroi Peleshi.

Për më se një muaj mbi 24 mijë trupa ushtarake nga 26 vende të NATO-s dhe partnerë të saj demonstruan fuqinë në shumë vende njëherësh, nëpërmjet skenarëve strategjikë dhe realizimin e detyrave operacionale në tokë, ajër e det.

Në përfundim të aktivitetit u shpërndanë “Certifikata Mirënjohje” për 17 ushtarakë të huaj, pjesëmarrës në stërvitjet që u zhvilluan në vendin tonë në kuadër të “Defender ‘23”, në shenjë vlerësimi dhe falënderimi nga ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralbrigade Arben Kingji.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit