
Turqia të mërkurën i kërkoi Francës të ndalojë mbështetjen për komandantin renegat të Libisë, Khalifa Haftar.
“Nëse Franca dëshiron të kontribuojë në zbatimin e vendimeve të marra në Konferencën e Berlinit, së pari duhet të ndalojë mbështetjen për Haftarin”, tha Hami Aksoy, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, në një deklaratë.
Vërejtjet e Aksoy erdhën si përgjigje ndaj presidentit francez, Emmanuel Macron gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.
Duke e mbajtur Francën përgjegjëse për krizën libiane që u shfaq në vitin 2011, Aksoy tha se Franca “mbështet pa kushte Haftarin që të ketë fjalën e saj mbi burimet natyrore në Libi”.
Sulmet e Haftarit ndaj qeverisë legjitime janë kërcënim për integritetin territorial dhe sovranitetin e Libisë, shtoi ai.
Duke nënvizuar se armëpushimi i përhershëm duhet të arrihet menjëherë në Libi siç u diskutua në Konferencën e Berlinit, Aksoy tha se vendi i tij pret nga Franca që ajo të luajë rol pozitiv në vendosjen e sigurisë dhe stabilitetit në Libi.
Më 12 janar, palët në Libi njoftuan armëpushim si përgjigje të një thirrjeje të përbashkët të liderëve të Turqisë dhe Rusisë. Por, dy ditë më vonë në Rusi, bisedimet për armëpushim të përhershëm përfunduan pa marrëveshje pasi Haftari u largua nga Moska pa nënshkruar marrëveshjen.
Një javë më vonë, Haftari pranoi kushtet në Berlin për të caktuar anëtarët në një komision ushtarak të propozuar nga OKB-ja me pesë anëtarë nga secila anë në monitorimin e zbatimit të armëpushimit.


