Franca do të heqë kufizimet e bllokimit të martën përpara sezonit të festave, por ora policore gjatë natës do të vazhdojë, raporton Anadolu Agency (AA).
Mes valës së dytë të infeksioneve të koronavirusit të ri (COVID-19), Franca vendosi një bllokim më 30 tetor.
Të gjitha bizneset jo-thelbësore, përfshirë restorantet, baret dhe kafenetë, u mbyllën.
Heqja e izolimit vjen vetëm një ditë pasi Franca regjistroi rënie të madhe të infeksioneve ditore nga 11.533 të dielën në 3.063 të hënën. Megjithatë vdekjet u dyfishuan në 372 nga 155 sa ishin të dielën.
Numri i infeksioneve është mbi 2,37 milionë, kurse numri i të vdekurve mbi 58.000, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
Numri i të shtruarve në spital është në 8.722, me 1.159 njerëz në kujdes intensiv.
Udhëtimi gjatë orëve të ndalimit do të lejohet vetëm për arsye shëndetësore ose për punë me leje paraprake nga autoritetet lokale.
Mbajtja e maskave në të gjitha hapësirat e mbyllura dhe të hapura do të mbetet e detyrueshme.
Ata që gjenden në kundërshtim me orën policore do të përballen me një gjobë prej 135 euro.
Kufizimi i udhëtimit prej 20 kilometrash brenda tre orësh do të hiqet për të lejuar udhëtime ndërqytetëse dhe ndërkombëtare.
Udhëtarët që mbërrijnë në destinacionet e tyre pas fillimit të bllokimit në mbrëmje nuk do të penalizohen.
Të gjitha shtëpitë e filmave, sallat e koncerteve dhe baletit, muzetë dhe teatrot do të qëndrojnë të mbyllura deri më 7 janar. Të martën janë planifikuar demonstrata në Francë për mbylljet, ku pronarët thonë se masat po dëmtojnë jashtëzakonisht bizneset e tyre.
Demonstruesit do të dalin para gjykatave duke kërkuar shpëtim për vendet e goditura rëndë nga mungesa e biznesit.
Kryeministri francez, Jean Castex, u shfaq në BFMTV të martën në mëngjes për të diskutuar rekomandimin e lëshuar nga task forca e vendit për COVID-19.
“Këshilli Shkencor po thotë diçka shumë të arsyeshme, që së pari të kufizohesh tetë ditë para Krishtlindjes, nëse mundesh, kur është e mundur”, tha ai.


