Gërvalla: Të emëruarit në kundërshtim me ligjin në ambasada e konsullata do të kthehen në Kosovë

Mos i humb

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka paralajmëruar shfuqizim të disa vendimeve të jashtëligjshme, për siç ka thënë ajo, ta kthejnë ligjshmërinë dhe drejtësinë e munguar në MPJD.

Gërvalla përmes një postimi në Facebook ka shkruar se kanë gjetur shkelje të shumta ligjore të cilat janë bërë viteve të fundit.

“Kemi analizuar shkeljet e shumta ligjore të viteve të fundit. Në vijim do të shfuqizojmë një nga një të gjitha vendimet e jashtëligjshme, duke kthyer kështu më në fund ligjshmërinë dhe drejtësinë e munguar në këtë institucion.

Do të hapim konkurse të reja, të bazuara në kritere transparente profesionale për ta pasuruar MPJD-në me diplomatë të kualifikuar mirë, në mënyrë që të krijojmë një ekip profesional solid dhe premtues për të ardhmen e diplomacisë sonë. Në bashkëbisedim me profesionistë të mirëfilltë brenda dhe jashtë vendit, do të vazhdojmë të ridefinojmë kriteret profesionale për kualifikim dhe për emërim dhe nuk do të punësojmë persona që nuk plotësojnë standardet bazë të nevojshme për t’i shërbyer vendit tonë jashtë apo brenda. Dhënien e gradave do ta vendosim në binarë ligjorë duke shpërblyer punën dhe profesionalizmin, e jo përkatësinë partiake, klanore apo familjare”, ka shkruar Gërvalla.

Ajo tutje ka shtuar se në vazhdimësi Ministria që ajo udhëheqë dhe vetë ajo janë përballur me shumë kritika.

Gërvalla ka shtuar se stuhia e pafund e ankesave do të vazhdojë edhe në javët në vijim. Pasi sipas saj, të gjithë ata që janë dërguar në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës jashtë vendit në kundërshtim me ligjin ose që nuk i kanë përmbushur pritjet elementare të një diplomati, do të kthehen gradualisht në Prishtinë.

“Të gjithë ata që janë dërguar në ambasadat dhe konsullatat tona jashtë vendit në kundërshtim me ligjin ose që nuk i kanë përmbushur pritjet elementare të një diplomati, do të kthehen gradualisht në Prishtinë. Pas gjithë atyre viteve pa ligjshmëri, ligjin do të zbatohet përfundimisht edhe në këtë fushë. Por shteti ligjor është shtet ligjor dhe jo shtet i nepotizmit, i privilegjeve të pafundme dhe i tradhtisë ndaj taksapaguesve dhe djersës së tyre”, ka shkruar ministrja.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit