Gjykata Kushtetuese e Kosovës shënon 10-vjetorin e punës

Mos i humb

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka mbajtur sot konferencë ndërkombëtare me temë “Sigurimi i sundimit të ligjit dhe i të drejtave të njeriut përmes mekanizmave të drejtësisë kushtetuese: Sfidat e shekullit 21”.

Konferenca e cila u mbajt me rastin e shënimit të 10-vjetorit të punës së Gjykatës Kushtetuese, pati përfaqësues e kryetarë të Gjykatave Kushtetuese nga vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, tha se mbështetja e sundimi i ligjit nënkupton të evokuarit për të drejtat e njeriut si qëllim kryesor dhe primar i të gjitha institucioneve publike e politike.

Rama-Hajrizi tha se gjykatat kushtetuese kontribuojnë në forcimin e sundimit të ligjit duke kontrolluar konkretisht normat kushtetuese.

“Gjykatat Kushtetuese në mes tjerash kontribuojnë në ndërtimin dhe forcimin e sundimit të ligjit duke u angazhuar në kontroll konkret dhe abstrakt të normave kushtetuese. Ato intervenojnë në pushtet, duke siguruar që autoritetet publike që janë të ngarkuara me fuqi të pushtetit i përdorin të njëjtat në pajtim me Kushtetutën”, tha ajo.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, tha se pavarësia e gjyqësorit duhet të kuptohet si një parim thelbësor, duke shtuar se kjo pavarësi nënkupton thelbin e një shteti demokratik.

“Parimi i shtetit të së drejtës është i lidhur ngushtë me mirë funksionimin e pavarur pushtet-gjyqësor, i cili si një prej funksioneve të shtetit garanton mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e akteve normative të vendosura nga pushteti legjislativ”, tha Peci.

Ai shtoi se pavarësia e gjyqësorit “nuk mund të kuptohet pa pavarësinë e gjyqtarit”, ndërsa vendimet e gjyqësorit “kontrollohen vetëm nga gjykatat më të larta”.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, Zühtü Arslan.

Dje në Prishtinë Gjykata Kushtetuese organizoi ceremoni me pritje të udhëheqësve të institucioneve, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili tha se “është kënaqësi të shohësh se si institucionet e Kosovës kanë avancuar në zhvillim, në mbrojtje të popullit dhe respektim të vullnetit të tyre”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit