Gjykata Supreme: I paligjshëm veprimi i Britanisë në çështjen DEASH

Mos i humb

Gjykata Supreme e Britanisë vendosi se vendi ka vepruar në mënyrë të paligjshme duke i dhënë informacion SHBA-së rreth dy britanikëve pjestarë të DEASH-it, pasi në këtë mënyrë ka shkelur ligjet për mbrojtjen e të dhënave dhe nuk ka kërkuar garanci se ata nuk do të përballeshin me dënimin me vdekje.

Dy pjestarët e DEASH-it, Shafee Elsheikh dhe Alexander Kotey, ishin pjesë e ekipit katër anëtarësh në DEASH të njohur si “The Beatles”.

Grupi, me të gjithë anëtarët e rritur në Britani, pretendohet se ishte përgjegjës për 27 prerje të shtetasve britanikë dhe amerikanë, duke përfshirë punonjësin e ndihmës britanike dhe shoferin e taksisë Alan Henning, dhe gazetarin amerikan James Foley. Që të dyve, Elsheikh dhe Kotey, u është hequr shtetësia britanike.

Ata janë në kujdestarinë e SHBA-së në Irak, pasi u kapën në vitin 2018 ndërsa grupi terrorist filloi të shkatrrohet.

Sekretari i atëhershëm i Brendshëm, Sajid Javid, dorëzoi informacione në SHBA për të ndihmuar në ndjekjen e tyre, pavarësisht ekzistencës së dënimit me vdekje në SHBA.

Vendimi i Javidit për dorëzimin e informacionit u kundërshtua nga Maha Elgizouli, nëna e Shafee Elsheikh. Ajo nuk u përpoq të ndalonte ndjekjen dhe burgosjen e djalit të saj, përkundrazi, dëshironte të ndalonte dënimin me vdekje që po i jepej atij.

Avokatët e Elgizouli në një deklaratë thanë: “Znj. Elgizouli falënderon gjykatën për shqyrtimin e kujdesshëm të ankesës së saj dhe njeh peshën e çështjes që ka parashtruar. Ajo gjithmonë ka shprehur besimin se djali i saj, nëse akuzohet, duhet të përballet me drejtësi, dhe se çdo gjyq duhet zhvillohet në Britani”.

“Ajo ka kërkuar që nga nëntori i vitit 2018 që Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës të bëjë një rishikim të pretendimit se nuk kishte prova të mjaftueshme që ai të akuzohej dhe të gjykohej në Britani, një përmbledhje për të cilën Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës tani thotë se duhet të përfundojë deri në prill të vitit 2020”.

Vendimi i Gjykatës Supreme në favor të Elgizouli tani shtron pyetjen se çfarë hapash duhet të ndërmarrë Britania. Një vendim, i cili mund të përfshijë kërkesën nga SHBA që të japë informacione, tani duhet të pritet.

Vendimi i Gjykatës Supreme u shqiptua nga Lord Kerr, i cili e bëri këtë përmes video-linkut për shkak të shpërthimit të koronavirusit që kërkon distancë në shoqëri.

Lord Kerr tha: “Pjesa më e madhe e informacioneve që janë dhënë, ose është dashur t’u jepen autoriteteve amerikane, përbëheshin nga të dhëna personale”.

“Këtu nuk kishte asnjë vendim të mjaftueshmërisë dhe asnjë mbrojtje të duhur”, tha ai, duke sqaruar se këto masa ishin të nevojshme që transferimi i të dhënave personale në një vend të tretë të ishte i ligjshëm.

Ai shtoi se vendimi i Javidit ishte “bazuar në ekspeditën politike, në vend të një domosdoshmërie të rreptë”.

Britania nuk ekstradon njerëz në SHBA, ose në vende të tjera ku ka dënim me vdekje, përveç nëse merr siguri se dënimi me vdekje nuk do të zbatohet.

Sipas një mendimi gjyqësor, Lord Kerr tha: “Ligji duhet të jetë në përputhje me nevojat, standardet dhe vlerat bashkëkohore të shoqërisë, të cilat janë në një gjendje të ndryshimit të vazhdueshëm. Kjo është një pjesë thelbësore e gjendjes dhe përvojës njerëzore”.

“Prandaj, erdha në përfundimin se duhet të njihet parimi i ligjit të përbashkët me anë të të cilit konsiderohet i paligjshëm lehtësimi i gjykimit të ndonjë individi në një vend të huaj, ku, për ta bërë këtë, do ta vinte atë person në rrezik të ekzekutimit”, ka shtuar ai.

Një përfaqësues i Zyrës së Brendshme tha: “Prioriteti i qeverisë ka qenë gjithmonë ruajtja e sigurisë kombëtare dhe sigurimi i drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre. Kjo nuk ka ndryshuar. Ne qartazi jemi të zhgënjyer nga gjykimi i sotëm dhe po shqyrtojmë me kujdes hapat e ardhshëm”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit