Të paktën 38 civilë u vranë nga forcat e regjimit sirian të Bashar al-Asadit në rajonin e rrethuar të Gutës Lindore në Siri.
Siç njoftuan burimet e mbrojtjes civile, sulmet tokësore dhe ajrore të regjimit vazhduan mbi civilët në zonën e mbajtur nga opozita pranë kryeqytetit Damask, pavarësisht vendimeve për të zbatuar një armëpushim të vendosur Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB).
Burimet e mbrojtjes civile, poashtu të njohur si Helmeta të Bardha, thanë se 31 civilë u vranë në rrethin e Dumas në sulmet ajrore dhe sulmet me raketa.
Poashtu edhe shtatë persona u vranë kur forcat e regjimit sirian sulmuan me predha, raketa dhe mortaja një zonë rezidenciale midis rretheve Misraba dhe Duma.
Të shtunën vonë, forcat e regjimit të Asadit dhe mbështetësit e tij kanë përparuar në zonat e mbajtura nga opozita, duke pushtuar qytetin al-Nashabiya dhe fshatrat Otaya dhe Hazrama.
Numri i të vdekurve në rajon mund të rritet, ndërsa sulmet vazhdojnë ende. Që prej 19 shkurtit, numri i viktimave në Gutën Lindore ka arritur në 756.
Të shtunën e kaluar, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë me anë të së cilës apelon për një armëpushim 30-ditor pa vonesë në Siri.
– SHBA dënon regjimin sirian dhe mbështetësin e tij kyç, Rusinë
Në një deklaratë, SHBA-ja e dënoi ashpër regjimin sirian dhe mbështetësin e tij kyç, Rusinë, për shkeljen e armëpushimit, duke thënë se Moska “vazhdon të injorojë kushtet e saj dhe vret civilët e pafajshëm nën rrethanat e rreme të operacioneve kundër terrorizmit”.
“Ky është i njëjti kombinim i gënjeshtrave dhe forcës pa dallim që Rusia dhe regjimi sirian përdorën për të izoluar dhe shkatërruar Halepin në vitin 2016, ku mijëra civilë u vranë”, tha Sarah Huckabee Sanders, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
“Regjimi i Asadit, bashkë me përkrahësit e tij në Moskë dhe Teheran, duhet t’i përmbahet Rezolutës 2401, të ndërpresë armiqësitë brenda dhe përreth Gutës Lindore dhe të lejojë shpërndarjen e lirë të ndihmave humanitare për gati 400 mijë civilë të pafajshëm në nevojë kritike”, theksoi Sanders.
Guta Lindore, që ndodhet në periferi të Damaskut, është nën rrethim për pesë vitet e fundit dhe qasja humanitare në këtë zonë është ndërprerë plotësisht.
Në tetë muajt e fundit, forcat e regjimit sirian kanë intensifikuar rrethimin e tyre në Gutën Lindore, duke e bërë pothuajse të pamundur që ushqimet ose ilaçet të hyjnë në lagje dhe duke lënë pa trajtim mijëra pacientë në nevojë.


