Hamza nënshkruan marrëveshje, sjell në Kosovë Bankën Europiane për Investime

Mos i humb

Në emër të Qeverisë së Kosovës, Ministri i Financave Bedri Hamza, nënshkroi sot në Luksemburg, së bashku me Zëvendës-Presidentin e Bankës Europiane për Investime (BEI) Dario Scannapieco, Marrëveshjen e Huas për financimin e projektit për Autostradën Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Zahaq në vlerë prej 80 milion euro.

Projekti për Autostradën Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Zahaq është një ndër prioritetet qeveritare që do ti ndihmojë qytetarëve të Kosovës, me theks qytetarëve të Dukagjinit, por që është më e rëndësishmja përveç që do ta lidh Kosovën me shtetet tjera evropiane do të ketë edhe ndikim në zhvillim ekonomik të vendit.

Kjo është marrëveshja e dytë financiare që po nënshkruhet për këtë projekt, pas asaj me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) tanimë e ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës. Përveç dy kredive, për këtë projekt gjithashtu janë përfituar grante nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Ministri Hamza tha se “Jam shumë i lumtur që Kosova ka arritur atë fazë të zhvillimit të përgjithshëm që të thellojë edhe më shumë bashkëpunimin me Bankën Europiane për Investime përmes kësaj marrëveshje shumë të madhe financiare, por shumë domethënëse për shtetin dhe për Bankën Europiane për Investime”.

“Qeveria e Kosovës e konsideron Bankën Europiane për Investime si një partner strategjik për zhvillim dhe integrim europian, gjë që do të reflektohet edhe përmes investimeve tona të përbashkëta në sektorë të tjerë”, shtoi ministri Hamza.

Ndërsa, Zëvendës-Presidenti Scannapieco theksoi se pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë mes Kosovës dhe Bankës Europiane për Investime, kjo është marrëveshja e dytë financiare që po nënshkruhet mes dy institucioneve dhe kjo më së miri dëshmon se sa jemi të përkushtuar të jemi prezentë në një Kosovë me trende shumë të mira makro fiskale.

Gjithashtu, ai theksoi se “Banka Europiane për Investime ka ndarë për Kosovën 257 milion euro, prej të cilave deri më tani janë nënshkruar 149 milion euro marrëveshje financiare”.

Gjatë vizitës në Luksemburg, Ministri Bedri Hamza pritet të takojë edhe përfaqësues të tjerë të nivelit të lartë të Bankës Europiane për Investime për të diskutuar progresin e projekteve aktuale në Kosovë dhe mundësitë e financimit të projekteve potenciale për Kosovën, me theks të veçantë për sektorin e mjedisit, shëndetësisë, dhe sektorin privat./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit