Heshtja e Hagës për aktakuzën ndaj Thaçit e Veselit, avokatët: Janë të hapura të gjitha opsionet…

Mos i humb

Gjykata Speciale në Hagë ka vendosur të heshtë sa i përket konfirmimit apo jo të propozim aktakuzave për krime lufte ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Edhe pse tashmë ka skaduar afati gjashtë mujor i kësaj Gjykate për vendim rreth propozim aktakuzave ndaj Thaçit dhe Veselit, avokatët shprehen se mbeten të hapura të gjitha opsionet.

Kështu ka deklaruar për Telegrafin, avokati Artan Qerkini, i cili ka thënë se të gjitha opsionet janë të hapura përderisa nuk e kemi një njoftim zyrtar për atë se çfarë ka ndodhur.

“Ne e dimë që afati ligjor për konfirmim të aktakuzës ka skaduar dhe të gjitha çështjet tjera mund të jenë spekulime dhe prognoza të ndryshme lidhur me atë se çfarë mund të ndodhë. Ligjërisht ata kanë mundësi ligjore mos me bo publike. E kemi pasur rastin e Sali Mustafës i cili më 19 qershor ju ka konfirmuar aktakuza mirëpo njoftimi për akuzë u bë më 24 shtator dhe ka qenë një i akuzuar. Në rastin e presidentit dhe z.Veseli flitet që ka më shumë të akuzuar dhe kjo mund të marrë kohë nëse është konfirmuar aktakuza”, ka deklaruar Qerikini.

Megjithatë, avokati Qerkini shprehet se kjo nuk do të thotë që aktakuza nuk është konfirmuar.

“Nuk do të thotë që aktakuza nuk është konfirmuar vetëm pse nuk është njoftuar opinioni, në bazë të ligjit ata kanë të drejtë për shkaqe të arsyeshme mos me ba publike aktakuzën. Mirëpo deri në paraqitjen e parë të pandehurit para gjyqtarit aktakuza duhet të bëhet e njohur për opinionin publik”, ka thënë Qerkini, duke shtuar se në këtë fazë na mbetet vetëm të presim.

Në anën tjetër avokati, Kushtrim Palushi thekson se aktakuza ka mundur të konfirmohet deri më 24 tetor 2020 ose më së voni deri në fund të janarit 2021. Afati i janarit 2021 mund të vie në shprehje, në rast se gjyqtari i procedurës paraprake ka kërkuar dokumente shtesë ose përmirësim të aktakuzës pas ngritjes së saj në shkurt 2020.

“Rikujtojmë që Thaçi u intervistua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në korrik 2020, ose rreth 3 muaj pas ngritjes së aktakuzës. Ky është një tregues që gjyqtari i procedurës paraprake kërkoi nga Prokurori që të paraqesë dokument shtesë, përkatësisht deklaratën e personit të akuzuar nëse ai më parë nuk ishte intervistuar. Nëse ky është rasti, sipas rregullit 85 (5) të Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara, gjyqtari i procedurës paraprake ka deri në gjashtë (6) muaj kohë nga “… ngritja e aktakuzës dhe pranimi i të gjithë materialit mbështetës… ”, Për të lëshuar një vendim për konfirmim ose jo të aktakuzës. Prandaj, unë besoj se vendimi për konfirmim do të lëshohet në çdo kohë nga data 24 tetor 2020 deri në fund të janarit 2021”, ka deklaruar Palushi për Telegrafin.

Avokati tutje shton se edhe nëse akuza konfirmohet, prokurori mund të kërkojë dhe gjyqtari i procedurës paraprake mund të urdhërojë që aktakuza të mos bëhet publike përkohësisht. Sipas tij kjo gjë është në përputhje me Rregullën 88 (2) të Rregullores së Procedurës dhe Provave mund të bëhet “… për arsye sigurie, për të shmangur ikjen e të akuzuarit, ose për të shmangur ndonjë ndërprerje tjetër të procedurave ose trazirave sociale …”.

“Ka gjasa që tashmë aktakuza është konfirmuar, mirëpo e njëjta është urdhëruar të mbetet konfidenciale derisa të sigurohet prania e personave të akuzuar pranë Dhomave të Specializuara në Hagë. Në një rast të tillë, aktakuza do të bëhet publike më së largu në paraqitjen fillestare të të akuzuarve në Hagë”, shtoi Palushi.

Palushi theksoi se procedura që ndiqet pas konfirmimit të aktakuzës, është që e njëjta gjë me të gjitha materialet mbështetëse do t’u dorëzohen personave të akuzuar.

“Para se të bëhet kjo, gjyqtari i procedurës paraprake mund të thërrasë personat e akuzuar që të paraqiten para Dhomave Speciale qoftë përmes ftesës ose mund të urdhërojë arrestimin dhe paraburgimin e të njëjtëve. Personat e akuzuar pas ftesës ose arrestimit duhet të paraqiten para gjyqtarit të procedurës paraprake së më shpejtë dhe brenda 30 ditëve pas paraqitjes së parë do të deklarojnë nëse e pranojnë fajin apo jo për ato që akuzohen. Nëse nuk e pranojnë fajësinë, kalendari procedural do të përcaktohet për veprime dhe procedura të mëtejshme, të tilla si për sfidimin e aktakuzës dhe çdo ankesë që ata mund të kenë. Nëse aktakuza nuk publikohet në përputhje me Rregullën 88 (2) të Rregullores së Procedurës dhe Provave, personat e akuzuar, pas konfirmimit të aktakuzës, do të marrin aktakuzën, si dhe të gjithë materialin mbështetës në gjuhën që ata e kuptojnë dhe të kenë mundësinë e kundërshtimit të aktakuzës”, u shpreh avokati Palushi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit