Tirane- Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve po shqyrton ankimimin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ që kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve të pjesshme që u mbajtën në Himarë më 4 gusht 2024.
Objekti i ankesës është “Kundërshtim i vendimit nr. 85, datë 05.08.2024 “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Himarë në zgjedhjet e pjesshme të datës 04.08.2024, të KZAZ nr. 88”.
Debati u përqëndrua tek zgjedhësit me kartë identiteti të skaduar. Sipas administratës janë 6 mijë zgjedhës të cilët kanë figuar me karta identiteti të skaduar.
Opozita thotë se janë mbi 200 zgjedhës, votues të regjistruar që kanë rinovuar kartat e skaduara dy ditë para zgjedhjeve nuk janë njohur nga paisja pay.
Por për socialistët kjo nuk përbën provë për pavlefshmërinë e zgjedhjeve pasi votuesit janë identifikuar manualisht.
“Kjo vërteteton se personat kanë pasur pasaportat, kanë pasur emrin në listë, e kanë votuar. Ku është pavlefshmëria? tha juristi përfaqësues socialist, Eridian Salianji
Mbledhja e KAS u shty për në orën 13:30 për ti vënë në dispozicion opozitës disa informacione shtesë.
Zgjedhjet në Himarë u fituan nga kandidati socialist, Vangjel Tavo me 1477 vota më shumë se kandidati i opozitës Petro Gjikuria.