Hoxha: Serbia nuk mundet në BE pa zgjidhur problemin me Kosovën

Mos i humb

Ministria e Integrimit Europian të Republikës së Kosovës organizoi diskutimin me temë “Kosova, Presidenca e Këshillit të BE-së dhe Strategjia e re e Ballkanit Perëndimor – Çka mund të presim”.

Në këtë konferencë morën pjesë ministrja e Integrimeve Evropiane të Kosovës, Dhurata Hoxha, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ambasador i Bullgarisë në Kosovë, Nedyalcho Danchev dhe ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler.

Ministrja Hoxha theksoi se publikimi i Strategjisë për Zgjerim nga Komisioni Evropian ka qenë një lajm i mirë për Kosovën dhe rajonin në përgjithësi, sepse Kosova e ka më të qartë pozicionin e vet dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë evropiane, me kusht që të ndërmerren reformat përkatëse.

“Fakti që BE-ja e trajton procesin e aderimit të Kosovës në BE të ndarë nga Serbia, për ne është një njohje e shtetësisë së Kosovës, përkundër mosnjohjes nga disa shtete anëtare të BE-së dhe rezistencës që kanë shfaqur disa shtete që Kosova fare të mos përfshihet në këtë strategji”, tha Hoxha.

Ajo tha se reformat që kërkohen nga Kosova janë substanciale duke shtuar se Kosova duhet të fokusohet në fuqizimin e sundimit të ligjit, sigurinë dhe migracionin, zhvillimin social dhe ekonomik si dhe marrëdhëniet me shtetet fqinje.

Hoxha bëri të ditur se përgjegjësitë e Kosovës gjatë rrugëtimit të saj evropian duhet të mobilizojë institucionet e saj për punë më intensive për reforma të përcaktuara qartë në Marrëveshjen për Stabilizim Asociim (MSA), Axhendën Evropiane për Reforma (ERA) dhe Programin për Reforma Ekonomike.

Sa i përket Strategjisë, e cila e ka bërë të qartë se BE nuk do të importojë probleme, sipas saj është një mesazh për Serbinë e cila duhet ta kuptojë se dialogu do të përmbyllet vetëm me një marrëveshje të pranueshme nga të dy palët.

“Çështja e marrëdhënieve me Serbinë besoj mund të jetë përfitim tjetër që ka Kosova nga strategjia. Kjo strategji e ka bërë të qartë se BE-ja nuk do të importojë probleme që është një mesazh i qartë për Serbinë që duhet të vazhdojë dialogun me qëllime konkrete dhe nuk do të mund të anëtarësohet në BE pa zgjidhur problemin me Kosovën”, tha ajo.

Hoxha tha se gjatë presidencës së Bullgarisë dhe Austrisë, këtë vit, fokusi duhet të jetë në implementimin e kësaj Strategjie dhe rrugën para se si mund të përfitojë Kosova.

Ndërsa, shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Apostolova tha se Kosova duhet të përmbushë reformat dhe të implementojë MSA-në dhe marrëveshjet tjera me BE-në dhe të ketë një luftë më serioze kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, një gjyqësor më të pavarur dhe një administratë publike më efektive.

Ajo tha se anëtarësimi i shteteve të Ballkanit në BE është një zgjidhje që varet nga liderët dhe politikanët vendor të cilët duhet të përdorin këtë momentum si një mundësi të mirë për t’iu bashkuar BE-së.

“Kosova por edhe Serbia duhet t’i intensifikojnë përpjekjet për t’i normalizuar marrëdhëniet. Nuk do të ketë një rrugë alternative për të dyja palët drejt së ardhmes evropiane. Pajtimi poashtu është një hap për të ardhmen për të cilën ne kemi ofruar mundësi për të rinjtë e rajonit. Anëtarësimi në BE është i rëndësishëm për gjeneratat”, u shpreh Apostolova.

Ajo përmendi edhe Samitin e Ballkanit Perëndimor të BE-së që do të mbahet më 17 maj në Sofje të Bullgarisë ku presidenca e Bullgarisë e BE-së është një mundësi e mirë nga të gjitha aspektet e konektivitetit. Ajo theksoi se në këtë samit fokusi do të jetë tek lidhja e shteteve të rajonit duke e zhvilluar infrastrukturën e transportit dhe atë energjetik.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit