Hoyt Brian Yee, zv/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë do të jetë nga viti i ardhshëm, ambasadori amerikan në Maqedoni.
Mediet maqedonase citojnë burime nga Departamenti i Shtetit, sipas të cilave, Hoyt Brian Yee do të zëvendësojë ambasadorin aktual të Shteteve të Bashkuara, Jess Baily, që e mban këtë pozicion që nga dhjetori i vitit 2014.
Hoyt Yee është një diplomat me eksperiencë dhe ekspert për Ballkanin, që e ka filluar karrierën e tij në vitet ’90, përkrah atij që njihet si diplomati “buldozier”, Ricard Hollbrook.
Dërgimi i Hoyt Brian Yee në Maqedoni vlerësohet si një konfirmim i angazhimit të shtuar të Uashingtonit në Ballkan, kryesisht për shkak të përpjekjeve të Moskës për të imponuar ndikimin e saj në rajon.
Sidoqoftë, ende nuk ka një konfirmim zyrtar për emërimin e Yee dhe zëvendësuesin e tij në Departamentin amerikan të Shtetit.
Kandidatë të mundshëm për zëvendësimin e tij përmenden Jonathan Moore, aktualisht shef i Misionit të OSBE-së në Bosnje-Hercegovinë dhe drejtor i Zyrës së Çështjeve të Europës Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, por edhe Condolezza Rice, ish-Sekretarja amerikane e Shtetit dhe këshilltarja për Sigurinë Kombëtare e dy presidentëve amerikanë, e që është përmendur edhe si e dërguar speciale e presidentit Donald Trump për Ballkanin./Top Channel/