Policia e Kukësit njofton se në pikën e kalimit kufitar që lidh Kosovën me Shqipërinë, Morinë, u godit një rast i kontrabandimit të ilaçeve dhe një rast i mosdeklarimit të të hollave.
Sipas policisë, në pranga ra shtetasi kosovar që synonte të kontrabandonte ilaçet, me qëllim shitjen. Procedohet penalisht shtetasi që nuk deklaroi rreth 13 000 euro.
“U arrestua në flagrancë shtetasi kosovar F. K., 32 vjeç, banues në Pejë, pasi në çantë iu gjet një sasi ilaçesh që i kishte kontrabanduar nga Kosova, me qëllim shitjen në Shqipëri; Po ashtu u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. K., 50 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi në çantë iu gjetën rreth 13 000 euro që synonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjit”, njofton Policia e Kukësit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.


