ILAÇI I ZEMËRIMIT

Mos i humb

Pasi zemërimi vjen nga padurimi i shpirtit, si dhe është shkak që shejtani të dominojë mbi njeriun dhe ta marrë nën kontrollin e tij, njohja e metodave për ta shëruar zemërimin bëhet e patjetërsueshme, me qëllim që të ndalohet dëmi i tij.

Nga ato metoda përmendim:

1. Njohja e vlerës së mposhtjes së zemërimit.

Njohja e vlerës së një gjëje çon deri në kërkim për ta arritur atë.

Sehl ibën Muadh ibën Enes El-Xhuhenij përcjell nga babai i tij, e ai nga Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, se ka thënë: “Kush e mposht zemërimin e tij, duke e pasur mundësinë që ta nxjerrë atë, Allahu do ta thërrasë para të gjitha krijesave në Ditën e Kiametit, do t’i thotë të zgjedhë nga hyritë e Xhenetit cilat i dëshiron.”

Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, se ka thënë: “Nuk ka gëlltitje me shpërblim më të madh tek Allahu se gëlltitja e zemërimit të atij robi, i cili e mposhti zemërimin vetëm për hir që e kërkon Fytyrën e Allahut.”

2. Largimi nga çdo gjë që e shkakton zemërimin dhe përpjekja e shpirtit për ta larguar atë.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se një burrë i tha Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “Më porosit (këshillo) diçka?” I tha: “Mos u zemëro.”, duke e përsëritur disa herë: “Mos u zemëro.”

Ibën Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Fjalët që ia tha Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i përmbajnë dy mundësi:

Mundësia e parë: Qëllimi i tij të jetë që i këshilluari detyrimisht të kapet për shkaqet që e detyrojnë moralin e mirë, si: fisnikëria, bujaria, butësia, turpi, modestia, durimi, mosdëmtimi i tjetrit, falja, mposhtja e zemërimit, buzëqeshja dhe të ngjashme me to prej moralit të lavdëruar. Nëse shpirti edukohet me këto virtyte dhe i bëhen tabiate të tij, kjo e detyron shpirtin që ta largojë zemërimin, atëherë kur arrihen shkaqet e ndodhjes së tij.

Mundësia e dytë: Qëllimi i tij të jetë që, nëse vjen deri te zemërimi i tij, të mos veprojë sipas zemërimit, por të mundohet që mos ta nxjerrë jashtë dhe mos ta lejojë që të veprojë nën ndikimin e tij.”

3. Kërkimi i mbrojtjes së Allahut nga shejtani i mallkuar.

Shejtani është zanafilla e çdo belaje dhe nxitësi për në çdo sherr. Allahu thotë: “Nëse djalli përpiqet të të shtyjë drejt së keqes, kërko strehim tek Allahu, se vërtet, Ai dëgjon dhe di gjithçka.” (El-Earaf: 200)

Sulejman ibën Sured përcjell se në prani të Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u fjalosën dy burra njëri me tjetrin, derisa njërit iu skuq fytyra dhe iu ngritën damarët e qafës nga zemërimi. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Vërtetë, unë e di një fjalë, po ta thotë, do t’i kalojë ajo që e gjen nga zemërimi i tij! Të thotë: Eudhu bilahi mine shejtani rraxhim (kërkoj mbrojtjen e Allahut nga shejtani i mallkuar).” Kur e lajmëruan atë që u zemërua për këto fjalë, tha: “Unë nuk jam i çmendur!”

4. Heshtja në momentin e zemërimit dhe burgimi i gjuhës.

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Mësojini të tjerët, lehtësoni dhe mos vështirësoni. E, nëse ndodh që të zemërohesh, hesht e, nëse ndodh që të zemërohesh, hesht e, nëse ndodh që të zemërohesh, hesht.”

5. Ndryshimi i gjendjes.

Ebu Dheri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, na tha: “Kur ndonjëri prej jush zemërohet dhe ai është në këmbë, le të ulet që t’i kalojë zemërimi, ose përndryshe, le të shtrihet.”

6. Njohja e rezultateve dhe pasojave që i jep zemërimi.

Njeriu, në momentin e zemërimit, mund të ndodhë që ta humbë më të shtrenjtën që e posedon. Sa herë zemërimi ka qenë shkak që të vijë deri te ndarja në mes bashkëshortëve, e të privohen fëmijët, e të mos jepen të drejtat, e të tejkalohen kufijtë, e të dhunohen të dobëtit dhe vëllezërit myslimanë?

Kur i mençuri e kupton se ku e çon zemërimi dhe cilat janë pasojat e tij, ruhet dhe e mban veten.

– Muaviu ibën Ebu Sufjani kur u zemërua e rikujtoi hadithin:

Muavije ibën Ebi Sufjan, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, një herë ua kishte ndalur rrogat njerëzve për dy apo tre muaj (të hollat që i merrnin të gjithë njerëzit prej arkës shtetërore). Kur hipi në minber ta mbante hutben, Ebu Muslimi i tha: “O Muavije! Kjo pasuri nuk është jotja, e as e babait tënd, e as e nënës sate.” Muavije u tha njerëzve që të qëndronin në vend, ai zbriti prej minberit dhe mori abdes, pastaj u kthye dhe tha: “E tha të vërtetën Ebu Muslimi! E kam dëgjuar Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, duke thënë: ‘Zemërimi vjen prej shejtanit, shejtani është prej zjarrit, ndërsa uji e fik zjarrin. Andaj, nëse zemërohet ndonjëri prej jush, le të marrë abdes’; tash shkoni merrni rrogat tuaja, Allahu ju bekoftë!”

Dr. Muhamed el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit