Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit kanë thënë se vendi planifikon që të zvogëlojë detyrimet nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015.
Duke folur në një konferencë për media në Teheran, zëdhënësi i ministrisë Abbas Mousavi tha se faza e tretë do të planifikohet sipas rrethanave me të cilat përballet Irani dhe nënshkruesit tjerë të marrëveshjes bërthamore, raportoi agjencia gjysmë-shtetërore e lajmeve Fars.
Zëdhënësi tha që presidenti francez Emmanuel Macron po bënte përpjekje për të shpëtuar marrëveshjen me mbështetjen e shteteve të tjera evropiane.
“Irani është duke pritur për rezultatet e përpjekjeve të BE-së për të ruajtur marrëveshjen dhe po planifikon të zvogëlojë detyrimet e tija në përpjesëtim me masat e BE-së për të ruajtur marrëveshjen”, tha ai.
Irani filloi të shkurtojë detyrimet e tij nga marrëveshja bërthamore në një veprim hakmarrës pas vendimit të njëanshëm të SHBA-ve për t’u tërhequr nga marrëveshja midis Teheranit dhe pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së plus Gjermaninë dhe BE-në.
Që atëherë, SHBA ka filluar një fushatë diplomatike dhe ekonomike për të rritur presionin ndaj Iranit, për ta detyruar atë të rinegociojë marrëveshjen.
Marrëveshja bërthamore i lejon Iranit të zvogëlojë detyrimet e tij në rast të shkeljeve nga palët e tjera. Teherani dëshiron që BE të veprojë në mënyrë më aktive në lidhje me zbatimin e pjesës së saj të detyrimeve, dhe thotë se do t’i kthehet respektimit të plotë të marrëveshjes pasi BE të anulojë sanksionet e SHBA-ve.