Nis në Prishtinë seminari ndërkombëtar i gjuhës shqipe

Mos i humb

Universiteti i Prishtinës – Fakulteti i Filologjisë ka shpallur të hapur të hënën seminarin e 38-të ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare.

Edhe këtë vit seminari u organizua me pjesëmarrës nga Universiteti i Tiranës dhe mysafirë të shumtë nga vende të ndryshme të Evropës dhe më larg.

Drejtori i Seminarit, Shkumbin Munishi, tha se këtë vit bëhen 45 vjet që kur organizohet kjo ngjarje.

Munishi tha se pjesëmarrja e dashamirëve të huaj të gjuhës e kulturës shqipe e bënë këtë ngjarje të veçantë.

Ndërsa kurset e gjuhës që do të ofrojë ky seminar, sipas tij, do të jenë mundësi e mirë për ta mësuar gjuhën shqipe.

“Edhe seminari i sivjetmë do të ketë dy komponentë kryesorë. Komponenti i parë është ai didaktik, i zhvilluar për vite me radhë nëpërmjet kurseve të gjuhës shqipe që organizohen për studentë, studiues dhe dashamirës të shqipes. Kurset intensive në tri nivele të cilat organizohen në kuadër të seminarit, janë mundësi e mirë për seminaristët që jo vetëm të fillojnë ta mësojnë shqipen, por edhe ta përsosin atë dhe të ardhmen të merren me studimin e saj”, tha Munishi.

Dekanja e Fakultetit Filologjik, Lindita Rugova, tha në ditën e parë të këtij seminari se investimi në të është “është investim për ardhmërinë e një shteti”.

“Institucioni i seminarit është i koncepti më i fortë i ndërkombëtarizimit të albanologjisë në botë. Është prezantimi më me vlerë i shkencës vendore vështruar nga një kënd global. Seminaret janë miqësi të reja dhe të vjetra mes studiuesish. Janë rrjetet e reja shkencore dhe kulturore që na bëjnë më të pranishëm në arenën ndërkombëtare”, tha Rugova.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, në fjalën e tij, kërkoi që të krijohet hapësira që ky seminar të organizohet edhe në Tiranë.

“Sot ne ndodhemi në një situatë akoma më të veçantë ku prezent kemi dy shtete shqiptare. Shqipëria dhe Kosova. Nga ana tjetër ndodhemi në një situatë akoma më të privilegjuar ku shqiptarët tanë që ndodhen në trojet e Maqedonisë dhe në Malin e Zi janë në pozitë më të konsoliduar. Në këto kushte detyra jonë si akademikë, si studiues dhe si drejtues të institucioneve është me rëndësi të veçantë për ta mbështetur, për ta fuqizuar këtë aktivitet; për të rritur në nivelin më të lartë këtë bashkëpunim”, tha Koni.

Në këtë seminar, i cili do të zgjasë deri më 30 gusht, marrin pjesë rreth 100 studentë nga vendi dhe të huaj dhe 40 ligjërues.

Qëllimi primar i organizimit të tij fillimisht ishte ofrimi i ndihmës për studentët dhe studiuesit e huaj që interesohen për gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare si dhe për shkencat albanologjike.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit