Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) sot kanë sekuestruar një anije naftëmbajtëse me flamur të Koresë së Jugut në ujërat e Gjirit Persik për pretendimin e shkeljes së ligjeve mjedisore detare.
Në një njoftim, IRGC tha se anija ishte nisur nga porti saudit i Al-Jubail dhe shkonte drejt Koresë së Jugut përmes Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) kur u interceptua nga forcat detare të IRGC-së.
Anija që mbante 7.200 tonë etanol u gjet “duke shkelur ligjet e mjedisit detar” dhe duke shkaktuar “ndotje kimike”, theksohet në njoftim.
Forcat detare të IRGC-së sekuestruan anijen naftëmbajtëse, të quajtur Hankuk Chemi, me kërkesë të Autoritetit të Porteve dhe Transportit të Iranit rreth orës 10 të mëngjesit të së hënës.
Ekuipazhi i arrestuar përfshin persona nga Koreja e Jugut, Indonezia, Vietnami dhe Mianmari, tha IRGC.
Pas sekuestrimit, anija u transferua në portin jugor Bandar Abbas dhe ka të ngjarë t’u paraqitet organeve përkatëse për procedurat ligjore.
Në muajt e fundit tensionet kanë qenë të larta në Gjirin Persik pas lëvizjes së raportuar të nëndetëseve amerikane dhe izraelite pranë ujërave territoriale iraniane.
Në të njëjtën kohë, tensionet e Iranit me Riadin dhe Abu Dhabin janë rritur po ashtu pasi Teherani i paralajmëroi ata që të mos lejonin Izraelin të zinte terren në rajon.


