Ja kush i publikoj informacionet për përçarjen e Vetëvendosjes në media!

Mos i humb

Përçarjet e Vetëvendosjes u bënë të pamohueshme nga zyrtarët e partisë me publikimin e shkëmbimeve të mesazheve elektronike mes Qendrës së VV-së në Tiranë dhe kryetarit të saj, Visar Ymeri.

Papajtueshmëritë mes krahut të themeluesit të partisë, Albin Kurti dhe bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë, Dardan Molliqaj, që deri vonë ishte Sekretar Organizativ në VV, u dëshmuan edhe me publikimin e një pjesëze komunikimi në platformën “Viber” mes anëtarëve të Kryesisë.
E ngazëllyer për arrestimin e Kurtit, deputetja e njëra ndër personat më me ndikim në parti, Aida Dërguti shkroi në këtë grup “e ai muti?”, duke menduar se po e pyeste vetëm Dardan Molliqajn, nëse ishte arrestuar edhe Albin Kurti bashkë me Donika Kadaj-Bujupin. Por, Dërguti e kishte huqur vendin ku dëshironte ta dërgojë mesazhin, duke e nisur në grupin e përbashkët të anëtarëve të Kryesisë.

Por, pak dihej se kush ka mundur t’i publikojë këto mesazhe dhe aktivistët, tashmë të ndarë mes Kurtit e Molliqajt, akuzuan njëri-tjetrin se përçarjen e VV-së e kanë bërë publike përmes rrjedhjes së informacionit tek mediat.
Ishte Koha.net media e parë që publikoi këto mesazhe të shkëmbyera mes Qendrës në Tiranë dhe kryetarit Ymeri, të cilat i publikoi si informacione ekskluzive. Pak orë më pas, në portale nisi të qarkullojë edhe fotografia ku dëshmohej ofendimi i Dërgutit ndaj Kurtit, të cilën fotografi i pari portal që e publikoi ishte mekulipress.info, pronë e Gëzim Mekulit, i cili në publik njihet më së shumti si përkrahës i paepur i VV-së, e tash i krahut të Kurtit brenda VV-së.

Gazeta Metro ka arritur të bisedojë me persona brenda VV-së që kanë dijeni se kush ishte personi që rrodhi informacionet te Koha.net dhe mekulipress.info.

Duke dashur të mbesin anonim, këta persona shprehen të sigurt se është zëdhënësja e VV-së Tinka Kurti ajo që ka ndërmjetësuar me këto dy mediume publikimin e informacioneve që shkaktuan “tërmet” brenda VV-së.

Tinka Kurti

Edhe për fotografinë e kapur nga biseda në “Viber”, thuhet se dërguese dhe shpërndarëse ishte vetë Kurti, potencialisht në bashkëpunim më zyrtarë ose aktivistë tjerë që mbështesin Albin Kurtin.

“Po, të gjithë në VV e dinë se është Tinka Kurti ajo që ka dërguar te mediat këto mesazhe dhe fotografi. Ajo ka raporte të mira me disa gazetare të Kohës dhe ka qenë furnizuese e përhershme e këtij mediumi me informata që kanë qenë më ekskluzive”, thotë njëri prej aktivistëve me të cilët ka folur Gazeta Metro.

Janë edhe dy persona që gazetës ia pohojnë këtë informacion. Thonë se Kurti ka raporte të mira me gazetarë brenda këtij mediumi, sidomos me gazetaren Arta Avdiu. Por, raporte të mira Kurti mban edhe me gazetarin tjetër të Koha Group, Durim Abdullahu.

“Ne jemi të sigurt se Tinka mesazhet e shkëmbyera mes kryetarit e Qendrës në Tiranë, i ka publikuar në bashkëpunim me këta dy gazetarë, ose ndonjë tjetër brenda mediumit, sepse ka raporte të mira edhe me gazetarë tjerë”, thotë njëri prej personave që është aktiv në VV.

Megjithatë, Kurti ka qenë vetë ajo që ka akuzuar krahun e Molliqajt për publikimin e informacioneve. Në Facebook, pa dhënë detaje e prova konkrete, ajo ka thënë se aktivistët e Molliqajt kanë dashur të demonizojnë aktivistët nga Shqipëria me rrjedhjen e këtyre informacioneve, edhe pse më së shumti nga këto mesazhe u dëmtua deputetja që thuhet se mban krahun e Molliqajt, Aida Dërguti.

“Rrjedhja e informatave të pjesërishme dje në media, me të cilat u tentua që të demonizohen aktivistët nga Shqipëria e të viktimizohet Aida, ka pasë për qëllim t’i paraprijë kritikës që do t’i bëhej veprimit të saj, nga organet e Lëvizjes. Sa e ultë fshehja e personave të tjerë pas saj dhe shpifjet e pabesueshme”, kishte shkruar Tinka Kurti, si reagim ndaj publikimit të informacioneve.

Deri tani, si pasojë e presionit të aktivistëve për ofendimin e bërë ndaj Kurtit, Dërguti ka dhënë dorëheqje nga dy pozita që mbante në VV, si kryetare e Qendrës në Vushtrri dhe nga pozita e anëtares së Kryesisë.

Dje, Kryesia e VV-së mbajti një mbledhje maratonike, ku janë diskutuar ngjarjet e fundit, që partinë mund ta ndajnë në dysh. Pak u mor vesh nga ajo që u diskutua aty, por edhe kësaj here, ishte Koha.net publikuesi i një informacioni me burime nga diskutimet që u zhvilluan brenda, ku thuhej se Dardan Molliqaj ka insistuar në moskandidimin e Kurtit për kryetar të VV-së edhe për një mandat./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit