
Trajtimi i kafshëve të pastreha ashtu sikurse në botë, edhe në rajon është një ndër temat më kryesore që kërkon kujdes.
Çështja e kafshëve të pastrehë dhe statistikat lidhur me to janë shumë komplekse, ndërsa mungojnë gjithashtu politika afatgjata dhe bashkëkohore për sa i përket çështjes së menaxhimit të kafshëve të rrugës.
Me rastin e Ditës Botërore të kafshëve të pastrehë, një numër veprimesh dhe ngjarjesh për strehimin e tyre po zhvillohen në mbarë botën. Shoqatat për mbrojtjen e kafshëve janë duke bërë thirrje që kafshët e pastreha të strehohen nga qytetarët.
– Maqedonia e Veriut
Problemi me kafshët e pastreha në Maqedoninë e Veriut filloi të aktualizohet në vitet e fundit, e sidomos vitin e kaluar, kur qentë endacakë mund të vërehen nëpër rrugët e qyteteve, përfshirë edhe kryeqytetin e vendit Shkupin.
Në Qytetin e Shkupit dhe ndërmarrjen publike “Higjiena Komunale”, gjatë vitit 2018 janë parashtruar mbi 200 padi nga qytetarët për dëmet nga sulmet dhe kafshimet e qenve të pastrehë.
Për të zgjidhur problemin e qenve endacakë dhe për t’u dhënë atyre trajtim të duhur, Këshilli i Komunës së Shkupit në fund të muajit shkurt dha vendim për krijimin e një kompanie publike për trajtimin njerëzor të kafshëve të pastrehë.
Në deklaratën e bërë nga Qyteti i Shkupit, ndërmarrja e re është krijuar nga shërbimet ekzistuese të deritanishme të NP “Higjiena Komunale”. Ndërmarrja e re do të marrë të gjitha veprimet, të cilat përfshijnë; kapjen e kafshëve endacakë, transportimin e tyre deri në qendrën për kafshët, pranimi dhe ekzaminimi i tyre nga veterinari, ekzaminimi laboratorik i kafshëve me sëmundje të caktuara, sterilizimi, akomodim postoperativ, trajtim dhe kujdes, kujdes veterinar, vaksinim, kthimi në vendin ku janë marrë ose procedurat për strehim nga qytetarët e interesuar.
– Në rrugët e Shkupit gjenden rreth 6.000 qen
Qyteti i Shkupit para një kohe të shkurtër njoftoi se pritet që së shpejti të përfundojë regjistrimi i kafshëve shtëpiake, me të cilat shpresojnë se do të kontribuojë në ruajtjen me përgjegjësi të kafshëve shtëpiake.
Shoqatat qytetare dhe organizatat joqeveritare që synojnë të mbrojnë kafshët konsiderojnë se problemi me qentë e pastrehë nuk mund të zgjidhet vetëm me faktin se qentë do të mënjanohen jashtë rrugëve, por sjellja e përgjegjshme e pronarëve të qenve, të cilat sipas shoqatave janë arsyeja kryesore për rritjen e kafshëve të braktisura.
Sipas Shoqatës për mbrojtjen e kafshëve “Anima Mundi” në rrugët e Shkupit, gjenden rreth 6 mijë qen, ndërsa kjo shifër në mbarë vendin mendohet se është rreth 100 mijë kafshë të pastrehë.
– “Në Shqipëri mungojnë politikat afatgjata për kafshët e rrugës”
Fenomeni i braktisjes së kafshëve vazhdon të jetë prezent pothuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë, por më i hapur në Tiranë. Institucionet në vend ende nuk kanë një regjistër apo statistika përfundimtare në lidhje me kafshët pa strehë apo pronar, ndërsa në vitet e fundit janë shtuar nismat, organizatat dhe institucionet për mbrojtjen e këtyre kafshëve.
Në Shqipëri ka disa organizata të shoqërisë civile që merren kryesisht me mbrojtjen dhe trajtimin e kafshëve pa strehë, duke ju ofruar atyre ushqim, vaksinim dhe strehim. Njëra prej tyre është edhe “Animal Rescue Albania” e cila në një deklaratë me shkrim për AA shprehet se çështja e statistikave lidhur me kafshët e pastreha në Shqipëri është shumë komplekse, pasi sipas saj, mungojnë politikat afatgjata e bashkëkohore sa i përket çështjes së menaxhimit të kafshëve të rrugës.
Sipas kësaj organizate, mendohet që në rang vendi ka 40.000 kafshë pa strehë, ndërsa sipas tyre nuk mund të flitet për shifra e statistika të sakta, pasi kafshët eliminohen vazhdimisht dhe braktisjet masive ndodhin çdo ditë.
“Fatkeqësisht në Shqipëri mund të ndodhë të shikosh të keqtrajtohet madje dhe të vritet një kafshë dhe mos kesh absolutisht asnjë mënyrë për të reaguar ligjërisht ndaj një akti të tillë. Ne kemi synuar nëpërmjet projektligjit të propozuar miratimin dhe zbatimin e një ligji efikas që e konsideron vepër penale çdo formë keqtrajtimi, abuzimi e shfrytëzimi që i bëhet kafshëve”, thonë për AA nga organizata “Animal Rescue Albania”.
Organizata ka ndërmarrë edhe një nismë e cila konsiston në sensibilizimin e komunitetit për të adoptuar një qen/mace të pastrehë.
Nismat e ndërmarra nga organizata apo edhe institucionet janë një proces që fillon me përkujdesjen në territor, me ndihmën konkrete dhe zgjerohet deri në krijimin e fushatave sensibilizuese dhe normativave ligjore për përmirësimin e jetës së kafshëve qoftë të pastreha, qoftë me pronarë.
Ndërkohë, institucionet në vend ballafaqohen në disa mënyra në lidhje me trajtimin e kafshëve pastreha. Është detyrë e njësive të qeverisjes vendore të identifikojnë të gjithë qentë dhe macet e rrugës në territorin që ato administrojnë.
Pranë Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit në Bashkinë e Tiranës funksionon edhe sektori i trajtimit të kafshëve, i cili merret me evidentimin, mbrojtjen dhe trajtimin e kafshëve, në veçanti atyre endacake në qytetin. Ky sektor realizon trajtimin e kafshëve endacake, mbron kafshët nga keqtrajtimet dhe torturat, si dhe organizon fushata sensibilizimi për qytetarët në lidhje me mbajtjen, trajtimin dhe respektimin e mirëqenies së kafshëve.
Për AA, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit në Bashkinë e Tiranës, thotë se kjo bashki ka për kompetencë sipas ligjit veterinar në fuqi, vetëm trajtimin e kafshëve endacake. Që prej vitit 2016 funksionon në Tiranë klinika veterinare, ndërsa bashkia ka nisur projektin e sterilizimit, vaksinimit, matrikullimit dhe regjistrimit të popullatës së qenve endacakë.
“Procesi bëhet pranë një strukturë veterinare, sipas parametrave evropianë. Pas regjistrimit, qentë endacake i nënshtrohen operacionit të sterilizimit ose kastrimit dhe qëndrimit në strehëzën e Klinikës. Dukshëm qentë e patrajtuar dikur nëpër rrugët e qytetit, sot mbajnë në vesh një matrikull, që tregon pikërisht punën e bërë nga Bashkia Tiranë gjatë këtyre viteve. Të gjithë hallkat e procesit, janë të dokumentuara dhe ndiqen nga një staf i kualifikuar veterinar”, thonë nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë.
– “Prishtina ndan 150 mijë euro çdo vit për trajtimin e qenve”
Institucionet e Kosovës vazhdojnë të përballen me sfida sa i përket menaxhimit të kafshëve të pastreha, e sidomos qenve endacakë. Ndër vite, problemi i këtyre kafshëve është riaktivizuar kur qytetarët janë sulmuar nga qentë endacakë.
Meqë kushtet infrastrukturore mungojnë për strehimin e tyre, intervenimi i autoriteteve qendrore e komunale zhvendoset në trajtimin e tyre; që përfshinë vaksinim, kastrim, sterilizim e regjistrim të tyre.
Në komunat kryesore, procesi i ndërtimit të strehimoreve ka nisur në vitet e fundit.
Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, çdo vit ndan 150 mijë euro për trajtimin e qenve, e megjithëse për strehimore nuk ka asgjë konkrete, zyrtarët e saj thonë se “brenda vitit 2019 do ta konkretizojnë një plan të tillë”.
Numri i strehimoreve legale në tërë territorin e Kosovës është vetëm 2, ndërsa në vend ekzistojnë dhjetëra strehimore private, të hapura nga vullnetarë. Por, ato nuk zënë më shumë se 300 qen, numër i vogël krahasuar me numrin e qenve të pastrehë në çdo cep të vendit.
Sipas një raporti të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës vetëm në kryeqytet janë 3 mijë qen, ndërsa në gjithë territorin e Kosovës ka dhjetëra-mijëra qen endacakë.
Nga maji i vitit 2018 deri në fund të vitit të njëjtë, Kosova nisi në mënyrë emergjente një projekt me 1.3 milionë euro për menaxhimin dhe kontrollin e qenve endacakë.
Procesi i trajtimit të tyre do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2019, thotë Lamir Thaçi, zyrtar për informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës (AUV).
“Kosova gjatë vitit 2018 ka implementuar projektin e menaxhimit dhe kontrollit të qenve endacakë përmes të cilit është bërë kapja, kastrimit/sterelizimit, vaksinimi (në rastet kur qentë kanë treguar shenja klinike të sëmundjes apo kanë qenë të rrezikshëm është bërë eutanazimi i tyre). Pas kryerjes së të gjitha shërbimeve klinike është bërë identifikimi (regjistrimi) dhe lëshimi i qenve endacakë në vendin e kapjes. Gjatë vitit 2018 janë trajtuar rreth 14.000 qen endacakë në gjithë territorin e vendit. Edhe në këtë vit pritet që të vazhdojmë me këtë projekt sipas procedurave të lartë shënuara. Nuk dihet numri i saktë i kafshëve endacake në Kosovë për arsye të lëvizjes së madhe të tyre që bëjnë nga një vend në vendin tjetër”, thotë Thaçi.
Sipas menaxherit të “Qendrës Kosovare për Trajtimin dhe Strehimin e Qenve Endacakë”, në gjithë territorin e Kosovës janë rreth 200 mijë qen të pastrehë.


