Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin deklaroi të mërkurën në Ankara se implementimi i regjimit pa viza me Bashkimin Europian (BE) gjatë vitit 2018, do të ishte një kontribut i ri për raportet Turqi-BE.
Kalin sot u është përgjigjur gazetarëve për zhvillimet aktuale, mes tjerash edhe për zhvillimet në Siri si dhe për marrëdhëniet e Turqisë me SHBA-të.
Ai porositi se për kthimin e mirëbesimit mes dy shteteve respektive, janë të patjetërsueshëm hapa konkretë të cilat duhet t’i ndërmarrë administrata amerikane.
“Po bëjmë përpjekje që të rikthejmë mirëbesimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), mirëpo për rikthimin e mirëbesimit nevojiten hapa konkretë në terren nga administrata amerikane”, tha zëdhënësi Kalin.
I pyetur të komentojë pretendimet se Turqia po mban kontakte me regjimin sirian, Kalin u përgjigj: “Nuk kemi vendosur asnjë kontakt me regjimin (në Siri), as që bëhet fjalë për vendosjen e kontakteve të tilla”.
Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë ka komentuar edhe operacionin “Dega e Ullirit”, dhe ndikimin e saj mbi ekonomine turke, për çka tha se “Operacioni nuk ka pasur ndonjë ndikim negativ mbi ekonominë tonë dhe nuk pritet ndonjë gjë e tillë në të ardhmen”.
Në fund, zëdhënësi Kalın tha se implementimi i regjimit pa viza gjatë vitit 2018, do të ishte një shtytje e re në raportet Turqi-BE”./Rtv islam/


