Kalin: Qëllimi i Turqisë në Ballkan nuk është ushtrimi i ndikimit, por paqja dhe stabiliteti

Mos i humb

Sekretari i Përgjithshëm dhe zëdhënësi i Zyrës së Presidentit të Republikës së Turqisë, Ibrahim Kalin sot në Ankara deklaroi se disave u pengon ndikimi gjithnjë e në rritje i Turqisë në Ballkan dhe se qëllimi i vendit të tij në rajon nuk është ushtrimi i ndikimit, por i paqes dhe stabilitetit.

Në Ankara dje filluan takimet e dyta ballkanike, e cila është e organizuar në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Institutin e Mendimit Strategjik (SDE), me praninë e shkencëtarëve, akademikëve, zyrtarëve fetarë, përfaqësuesve të OJQ-ve dhe mediave nga vendet Ballkanit. Në ditën e dytë të saj u mbajt takim në temën “Punëtoria e të menduarit strategjik për të ardhmen e Ballkanit”.

Duke folur për Ballkanin, Kalin tha se vendi i tij ka tre prioritete kryesore për këtë rajon, përkatësisht sigurimin e stabilitetit politik, arritjen e zhvillimit ekonomik dhe inicimin e një lëvizjeje për ringjalljen kulturore.

Ai shtoi se kur është fjala për stabilitetin e Ballkanit, atëherë duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje dhe se “arritja e stabilitetit politik, paqes dhe prosperitetit nuk është e rëndësishme vetëm për rajonin, por për të gjithë”.

Sipas tij, në këtë plan ekzistojnë dy rreziqe, njëra prej të cilave është mikro-nacionalizmi dhe tjetri ndërhyrjet periodike të jashtme që duan të bëjnë një rrëmujë në rajon.

Kalin gjithashtu konstatoi se rajoni i Ballkanit ende nuk ka arritur nivelin e rritjes ekonomike që meriton dhe tha se Turqia me qëllim të arritjes së zhvillimit ekonomik, ka nisur një sërë projektesh në vendet e rajonit. Sipas tij, Turqia u ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur investitorëve të saj që të investojnë në rajon, kështu që sot një numër i kompanive operojnë në rajon, por theskoi se kjo ende nuk është në nivelin e dëshiruar.

Ai theksoi rëndësinë e bankave turke të cilat kanë hapur zyrat e tyre përfaqësuese në vendet e rajonit, linjat e kredisë që kanë miratuar këto banka, por edhe për projektin e autostradës që do të lidhë Sarajevën dhe Beogradin. Kalın tha se edhe vet presidenti Recep Tayyip Erdogan këtë autostradë e ka quajtur “Autostrada Ballkanike e Paqes”.

Kalin tha se Turqia ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë vendet e Ballkanit në mënyrë që të pranohen nën ombrellën e NATO-s.

Ai tha se disa njerëz po i shqetëson fakti se ndikimi i Turqisë në rajonin e Ballkanit është gjithnjë e në rritje.

“Qëllimi i Turqisë në Ballkan nuk është për të rritur ndikimin, por për të krijuar paqe, stabilitet dhe siguri. Ne këtë e kemi dëshmuar shumë herë. Po të kishim qëllime të tjera në Ballkan, prej kohësh ne do të ndërmerrnim angazhime të ndryshme. Turqia në të gjitha marrëdhëniet është plotësisht transparente dhe ka një qasje sipas së cilës në mënyrë të barabartë respekton çdo palë. Kjo është ajo që Turqia kërkon për të gjithë botën. Presidenti ynë me përkushtim flet ‘bota është më e madhe se pesë’ (pesë anëtarë KS të OKB-së), që do të thotë se rendi aktual botëror nuk është në përputhje me drejtësinë dhe barazinë, më saktësisht, duhet gjetur një zgjidhje për këtë problem”, ka thënë Kalin.

Ai vuri në dukje edhe për rrezikun e organizatës terroriste FETO, e cila operon në vendet e Ballkanit.

“FETO nuk është kërcënim vetëm për Turqinë, por është një kërcënim për të gjithë kudo që ata ndodhen. Është shumë e rëndësishme që për këtë të jenë të vetëdijshëm edhe vëllezërit tanë në Ballkan. Ata (FETO) përdorin fjalë besimi, dialogu, vëllazërie, mëshire dhe në fakt ata fshihen pas këtyre fjalëve. Kështu ata filluan një tradhti të madhe dhe vendosën nënshkrimet e tyre në shthurje që mund të minojë themelet e Islamit. Ne të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm në këtë aspekt”, tha Kalin.

Ai shtoi se FETO në vendet e Ballkanit vepron në 20 deri në 25 vitet e kaluara.

“Atë që dje i bënë Turqisë, nesër do të përpiqen të bëjnë edhe në vendin tuaj. Aspak mos dyshoni për këtë. Jo vetëm në Ballkan, këtë do të përpiqen ta bëjnë edhe në Afrikë, Azi dhe pjesët tjera të botës”, tha Kalin, duke shtuar se është koha që në Ballkan të mbyllet epoka e FETO-s.

Adresimin e tij Kalin e përfundoi me fjalët: “Mos harroni, një Turqi e fortë është mirë për Ballkanin. Një Ballkan i fortë, i suksesshëm dhe stabil është mirë për Turqinë, është mirë edhe për mbarë botën”./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit