Duke parë përkeqësimin e situatës me koronavirusin kantoni Vaud ka ngritur nivelin e alarmit dhe ka shpallur një “krizë kantonale”.
Shkalla e mëparshme, që aplikohej para shpalljes së krizës quhej “sistemi nën tension”.
Kjo fazë e tashme, e tretë, nënkupton që “të gjithë aktorët e prekur të kujdesit shëndetësor duhet të përshtatin infrastrukturën dhe burimet e tyre të personelit”.
Këtë shpjegim e ka dhënë Departamenti i Shëndetësisë dhe Punëve Sociale (DSAS) për agjencinë e lajmeve Keystone-SDA.
Kjo do të thotë se kantoni, nëse është e nevojshme, mund t’i detyrojë spitalet të përmbahen nga disa operacione të zgjedhura (jo urgjente).
Qëllimi është që ato të jenë në gjendje të trajtojnë pacientët me Covid-19.
Faza 3 gjithashtu i mundëson DSAS-it që t’u kërkojë institucioneve, veçanërisht shkollave në sektorin e shëndetësisë, të sigurojnë staf.
Ky staf më pas mund të vendoset në objekte që kanë hasur në vështirësi, për shkak të mungesës së stafit të nevojshëm shëndetësor.