Këshilli Evropian për Fetva dhe Gjurmime

Mos i humb

Fetva e rendesishme per bizneset Këshilli Evropian për Fetva dhe Gjurmime FETVA-ja (32/30) Kreditë me kamatë për kompanitë investuese të rrezikuara të falimentojnë për shkak Pandemisë Covid-19   

PYETJA: Ne jetojmë në Evropë dhe jemi pronarë të kompanive investuese. Besojmë se ju jeni të vetëdijshëm për gjendjen ekonomike si rezultat i përhapjes së virusit Covid-19, karantinimit të njerëzve, ndalimit të lëvizjes dhe mbylljes së veprimtarive të ndryshme.

Qeveritë kanë paraparë pako financiare për zbutjen e pasojave ekonomike të Pandemisë Covid-19.

Mirëpo, disa herë, apo në disa shtete, kreditë kanë edhe një përqindje të kamatës. Për këtë pyesim se a lejohet që të marrim kredi të këtilla? Me këtë rast, na duhet t’ua bëjmë me dije se, nëse nuk marrim kredi, kompanitë tona, apo disa prej tyre, rrezikohen të falimentojnë.   

PËRGJIGJJA: E para: Së pari të rikonfirmojmë se kamata është e ndaluar dhe është prej mëkateve të mëdha. Kamata e dëmton ekonominë, gjë që shihet edhe nga ajo se kur ndodhin kriza ekonomike, apo stagnacion (amulli) ekonomik, pjesa më e madhe e shteteve e ulin shkallën e kamatës, bile edhe mund ta bëjnë zero për qind. Ka disa tekste fetare që flasin në këtë drejtim.     

Përgjigjja për pyetjen e parashtruar jepet duke e sqaruar dispozitën sipas rasteve vijuese: RASTI I PARË: Biznesmenët muslimanë duhet të ndihmohen dhe të bashkëpunojnë mes veti duke i akorduar njëri-tjetrit kredi pa kamatë, të cilat, në vokabularin legjislativ islam, quhen “el-kard el-hasen-borxhi”, apo t’i ofrojnë njëri-tjetrit financim legal sipas rregullave të legjislaturës islame, me përfitim të ulët. Ne u bëjmë thirrje biznesmenëve muslimanë që të suportohen, të solidarizohen, të ndihmohen dhe të bashkëpunojnë mes vete.

Allahu i Madhërishëm ka thënë:<<Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e në armiqësi…>>[el-Maide: 2]. I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:”Pjestarëve të fisit Esh’arij kur u ka mbaruar ushqimi në betejë, apo kur u është pakësuar ushqimi fëmijëve të tyre kur kanë qenë shtëpitë e tyre në Medine, çdo gjë që kanë patur e kanë grumbulluar bashkë në një pëlhurë, pastaj atë e kanë ndarë në pjesë të barabarta mes veti. Për atë, ata janë prej njerëzve të mi, dhe unë jam një prej tyre”. Hadithin e kanë transmetuar Buhariu dhe Muslimi (Muttefekun alejhi).   Pra, kjo kërkohet në rend të parë, në këtë kohë krize e cila e ka kapluar gjithë globin.  

RASTI I DYTË: Nëse shteti jep kredi pa kamatë, kjo është për t’u përshëndetur, dhe kompanitë e muslimanëve duhet ta shfrytëzojnë këtë lehtësim. Kjo vlen edhe në rast se shteti ofron pagese të rrogave, mëditjeve të punëtorëve dhe qirajave, pa kamatë.  

RASTI I TRETË: Nëse shteti apo bankat japin kredi pa kamatë në afat kohor prej një viti, me kusht që vitin e dytë, këstet e mbetura të kthehen me një përqindje kamate, e cila përqindje rritet në vitin e tretë. Në rastin e këtillë, nuk ka pengesë që, për shkak të rrethanave aktuale, të merren kredi për një vit, duke u munduar që kredia të kthehet para se të detyrohet me pagesën e përqindjes së kamatës. Kjo kredi është e lejuar, ngase për vitin e parë nuk është kusht që kredia të kthehet me kamatë.   Mirëpo, nëse kredia është e kushtëzuar që të kthehet me kamatë, apo të paguhet gjobë për vonim, në rast se kredia nuk kthehet gjatë vitit, apo për një afat më të gjatë se ky, atëherë marrë parasysh situatën urgjente apo detyruese, nuk ka pengesë të merret kjo kredi nëse huazuesi i kredisë u përmbahet kushteve të cilat e shmangin pagesën e kamatës.  

RASTI I KATËRT: Nëse Banka Qëndrore lëshon urdhëresë që bankat komerciale të akordojnë kredi pa kamatë për kompanitë dhe institucionet, me qëllim të forcimit të ekonomisë, uljes së papunësisë dhe evitimin e falimentimit të kompanive, mirëpo vetë shteti merr pagesë në vlerë prej 0.25% të sasisë së kredisë për garantim dhe menaxhim. Në këtë rast, kur kredituesi nuk merr asnji tepricë nga sasia e kreditit, por ai që e merr këtë sasi, tepër prej kredisë, është një palë tjetër, nuk ka pengesë që të merret kjo kredi.

Kjo, ngase kamata nuk jepet për kredinë-borxhin, dhe as që jepet prej klientit për bankën kredituese, por kjo sasi e vogël është pagesë për harxhimet administrative, pagesë kjo që është lejuar për rastin e letrës garantuese. Në rastin e letrës garantuese merret prej 0.25% deri 0.80% nga vlera e saj, duke e konsideruar këtë përqindje mbulesë adekuate për harxhimet reale apo administrative.

Kjo, sipas mendimit të atyre që e kanë lejuar marrjen e kësaj përqindje për këtë veprim.   Bazuar në sa u tha, kemi tre palë: kredituesin, gjegjësisht bankën; klientin, ashtu që nuk ka kamatë në raportet ndërmjet këtyre dy palëve; pala e tretë është garantuesi, gjegjësisht shteti i cili e merr këtë përqindje të vogël si mbulesë për harxhimet dhe reflektim i seriozitet të tij për këtë çështje. Nisur nga kjo, nuk ka pengesë që kompanitë ta marrin këtë kredi në këtë formë si e përmendëm.  

RASTI I PESTË: Marrja e kredive me kamatë prej bankave konvencionale, apo prej institucioneve tjera financiare. Këtu parashtrohet pyetja se a lejohet që kompanitë të cilat janë në pronësi të muslimanëve, të marrin kredi të këtilla, marrë parasysh se Pandemia Covid-19 është rrezik i përgjithshëm?   Përgjigjja jonë është si vijon: Kamata është e ndaluar në të gjitha rastet, me përjashtim nëse kemi të bëjmë me ndonji rast i cili ka arritur në nivelin e domosdoshmërisë legjitime sipas legjislacionit Islam.

Kjo domosdoshmëri i përfshinë si personat fizik, ashtu edhe personat juridik. Së këtejmi, nëse një kompani publike, apo  e madhe, apo e mesme, e cila ka të punësuar, i ekspozohet rrezikut të falimentimit, sipas vlerësimeve të bazuara në lëvizjet dhe gjendjen e tregut, apo bazuar në raportet e ekspertëve, e që në këtë rast, falimentimi për kompaninë është vdekje e personit juridik, atëherë siç konsiderohet frika e sigurtë për vdekjen apo shkatërrimin e pjesërishëm të individit fizik, apo të nderit të tij, prej gjërave të domosdoshme (darurat) të cilat i lejojnë gjërat e ndaluara, po ashtu, këtë status e ka edhe personi juridik (kompania)  të cilin e kanë njohur shtetet, ligjet dhe akademitë e të drejtës islame.   

Bazuar në sa u tha, kompanitë publike apo private të cilat konsiderohen burim fitimi për pronarët dhe të punësuarit, nëse zhyten në borxhe, ashtu që nuk mund t’i kthejnë borxhet në afatin e duhur, ndërkaq nëse nuk i kthejnë borxhet në kohën e duhur, kundër tyre ngritet aktpadi në gjykatë, e cila e shpall falimentimin e kompanisë, apo e shpall kompani me probleme serioze financiare, apo nëse kompania nuk mund t’ua paguajë rrogat e plota të punësuarve edhe përskaj adoptimit të strategjisë për kursim, apo pronarët nuk do të mund ta menaxhojnë dhe ta mbanë kompaninë edhe përskaj shkurtimit të shpenzimeve dhe shmangies së  harxhimeve, atëherë, në rastet e këtilla, kompanitë futen në fazën e domosdoshmërive të cilat ua lejojnë që të drejtohen në bankat konvencionale që të marrin kredi, edhe nëse kreditë e tilla kanë përqindje kamate, konform kushteve vijuese:

1-Që kompania mos të ketë likuiditet (para cash), apo mekanizma tjerë, siç është shitja e disa aseteve, si p.sh., të posedojë aksione, apo bono thesari, obligacione (po edhe nëse nuk janë të lejuara) apo gjëra tjera të ngjashme.   Për sa u përket kompanive private, këtij kushti i shtohet edhe ajo që pronarët aksionerë të kompanisë, mos të kenë likuiditet të mjaftueshëm (para cash), apo potencial që ta financojnë kompaninë me çdo mekanizëm tjetër legjitim sipas legjislacionit islam, siç është, fjala vjen, shtimi i kapitalit.

2-Mos të ketë institucione financiare islame apo institucione të ngjashme të cilat i financojnë kompanitë në mënyrë legale sipas legjislacionit islam dhe me fitime të përshtatshme.

3-Që falimentimi i kompanisë publike apo private, të ketë reperkusione për pronarët dhe të punësuarit e saj, ndërkaq nëse kompania është e vogël dhe falimentimi i saj nuk ka reperkusione, nuk lejohet që të merret kredi me kamatë. 4-Pasi ky gjykim është ndërtuar mbi domosdoshmërinë e imponuar nga Pandemia Covid-19, duhet patur parasysh se domosdoshmëritë në legjislacionin islam kushtëzohen të ngelin dhe të llogariten vetëm në limite të asaj që është e domosdoshme.

Allahu i Madhërishëm ka thënë:<<E kush shtrëgohet (të haje nga këto) duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, për të nuk është mëkat…>>[el-Bekare: 173]. “Pa e tepruar”, d.m.th., mos  tejkalohen kufijtë që kërkohen për  jetesë.

Për atë, këto kompani apo institucione, lejohet të marrin kredi vetëm në kufij të asaj që e kanë të domosdoshme.   Me këtë rast, KEFGJ i porosit muslimanët që të jenë të devotshëm dhe ta kenë frikë Allahun, të ndihmohen dhe të bashkëpunojnë mes veti, si dhe të largohen nga gjërat e ndaluara, në veçanti nga kamata, e cila, si dukuri, është dënuar ashpër nga Allahu i Madhërishëm.

Allahu i Madhërishëm ka thënë:<<Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngriten ndryshe vetëm se si ngritet ai i çmenduri nga të prekurit e djallit. Këtë ngase ata thanë:”Edhe shitblerja nuk është tjetër, por njësoj sikurse edhe kamata!” e Allahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën.

Atij që i ka arritur këshillë (udhëzim) prej Zotit të tij dhe është ndalë (prej kamatës), atij i ka takuar e kaluara dhe çështja e saj mbetet te Allahu, e kush e përsërit (pas ndalimit), ata janë banues të zjarrit, ku do të mbesin përgjithmonë.

Allahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën, Allahu nuk e do asnjë besëpremë e mëkatar>>[el-Bekare: 275-276]; <<E t’ja falni (borxhin) në emër të lëmoshës, ajo, nëse e dini, është shumë më mirë për ju

[el-Bekare: 280]. prej arabishtes: Bashkim Aliu

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit