Klitschko: Ukraina mund të lëshojë territor për paqen

0
60

Ukraina mund të detyrohet t’i dorëzojë përkohësisht disa territore Rusisë. Në një intervistë për BBC  kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko u shpreh se presioni po rritet për një marrëveshje paqeje me Moskën.

“Tani për tani ka shumë biseda për një zgjidhje të mundshme. Një nga skenarët është… heqja dorë nga territori. Nuk është e drejtë. Por për paqen, paqen e përkohshme, ndoshta mund të jetë një zgjidhje”, tha kryetari i Bashkisë së Kievit.

Ai shtoi se ukrainasit “nuk do ta pranonin kurrë pushtimin” nga Rusia. Vërejtjet e Klitschko vijnë pas një sulmi vdekjeprurës te se enjtes nga forcat ruse me raketa dhe drone në Kiev, që vrau 12 njerëz dhe plagosi pothuajse 90.

Sulmi erdhi vetëm pasi Kremlini përsëriti kërkesat e tij që Ukraina të dorëzojë territorin e pushtuar dhe që Perëndimi t’i japë fund ndihmës së tij ushtarake për Kievin. Ishte një nga sulmet më vdekjeprurëse ruse në kryeqytetin ukrainas në muajt e fundit.

Duke folur për programin Today të BBC Radio 4, Klitschko vuri në dukje se ai ishte “përgjegjës për kryeqytetin e Ukrainës”, duke e përshkruar atë si “zemrën” e vendit të shkatërruar nga lufta. Ai tha se presidenti Volodymyr Zelensky mund të detyrohet të ndërmarrë një “zgjidhje të dhimbshme” për të arritur paqen. Kur u pyet nëse Zelensky ka diskutuar me të ndonjë detaj për një zgjidhje të mundshme, Klitschko u përgjigj shkurt, “Jo”.

Gjithashtu edhe ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov ka bërë të ditur se Rusia është “gati të arrijë një marrëveshje” për t’i dhënë fund luftës, megjithëse disa element do të duhet të “akordohen mirë”. Duke folur për CBS News, Lavrov tha se “Rusia ka vetëm qëllime ushtarake ose vende civile të përdorura nga ushtria”, duke shtuar se “Presidenti Putin e shprehu këtë shumë herë, dhe kjo nuk ndryshon edhe këtë herë”.

Ndërkaq gjatë një vizite në Uashington, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha se aleanca pajtohet se Rusia është një “kërcënim afatgjatë” për sigurinë euroatlantike pas vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë më 24 prill. Rutte u takua me presidentin amerikan Donald Trump  mes përpjekjeve të intensifikuara të SHBA-së për të arritur një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

“Ju keni parasysh presidentin rus. Të gjithë jemi dakord në NATO se Rusia është një kërcënim afatgjatë për territorin e NATO-s, për të gjithë territorin euroatlantik”, tha Mark Rutte.

Rutte thuhet se do të përdorte vizitën e tij për t’i nxitur SHBA-të të mos i bëjnë presion Ukrainës për të pranuar një marrëveshje paqeje që favorizon Moskën. Nga ana tjetër, Sekretari rus i Këshillit të Sigurimit Sergei Shoigu kërcënoi se Rusia mund të përdorë masa, përfshirë armët bërthamore, kundër Evropës.