Komisioni i Ekonomisë kundër nismës së Tabakut për investimet strategjike

Mos i humb

Komisioni për Ekonominë dhe Financat në cilësinë e komisionit përgjegjës shqyrtoi në mbledhjen e radhës dy projektligje, nisma të deputetes  Jorida Tabaku.

Të ftuar në mbledhjen e komisionit për të dhënë mendime rreth këtyre projektligjeve ishin: Vasilika Vjero, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, si dhe stafi teknik i MFE. Fillimisht komisioni mori në shqyrtim projektligjin “Për disa shtesa në ligjin nr.125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar”.

Duke shpjeguar nevojën e sjelljes së propozimeve, deputetja Tabaku u shpreh se legjislacioni aktual lë hapësira për abuzime dhe keqinterpretime, shqetësime të dala edhe gjatë një procesi konsultimi me grupe të ndryshme interesi dhe shoqërinë civile të nisur prej prillit të vitit 2022.

Gjatë parashtrimit të nismës, ajo theksoi se fokusi i ndryshimeve të propozuara synojnë forcimin e transparencës dhe llogaridhënies së qeverisë për dhënien me koncesion/PPP. Duke detajuar propozimet Tabaku sqaroi se nisma mbështetet në 4 elementë: rritja e transparencës duke publikuar dokumentet e plota dhe të përhershme në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve/PPP-ve; rritja e përgjegjësisë personale në mënyrë që çdokush që mban një post publik jo vetëm të mbajë përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet; forcimin e kontrollit të Raporteve Financiare, duke u kërkuar çdo kompanie që garon për të fituar një Koncesion Publik të publikojë dhe vërtetojë se disponon së paku 50% të ardhurave të projektit dhe se burimi i atyre të ardhurave të jetë i ligjshëm; si dhe detyrimin e çdo subjekti tregtar për dorëzimin e një raporti të detajuar të të ardhurave dhe justifikimin e tyre sa herë që subjekti do të pajiset me leje ndërtimi apo certifikatë përdorimi.

Zëvendësministrja Vasilika Vjero sqaroi për komisionin se Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nisur procesin për ndryshimet në ligjin nr.125/2013 për shkak të nevojës edhe të përshtatjen me Direktivat përkatëse të BE dhe në bazë të rekomandimeve të lëna po punohet edhe me FMN për të qartësuar propozimet se ku do të ndërhyhet në legjislacion për koncesionet/PPP, ligjin organik të buxhetit apo dhe aktet nënligjore.

Vjero sqaroi se është ngritur një grup pune ndërinstitucional për draftimin e ndryshimeve në ligjin aktual, të cilat janë parashikuar të vijnë për shqyrtim në Kuvend në gjysmën e dytë të vitit 2023.

Pas diskutimeve, komisioni vendosi që shqyrtimi i projektligjit të vijojë në mbledhjet e radhës së komisionit.

Gjatë prezantimit të nismës së dytë, projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, Tabaku sqaroi se qëllimi primar i tyre është nxitja dhe tërheqja e investimeve strategjike, vendase dhe të huaja, në sektorët e ekonomisë, të identifikuar prej këtij ligji si sektorë strategjikë, nëpërmjet vendosjes së procedurave të posaçme administrative favorizuese, lehtësuese apo përshpejtuese të mbështetjes e të shërbimeve ndaj investitorëve.

Ndër të tjera, Tabaku sqaroi se nisma propozon ndryshimin e afatit për paraqitjen e kërkesave nga subjektet e interesuara pranë Agjencisë Shqiptare e Zhvillimit të lnvestimeve, duke përcaktuar si afat datën 1 janar 2023.

Gjatë diskutimeve deputetët e shumicës parlamentare u shprehën kundër nismës, duke argumentuar se investimet strategjike kanë dhënë fryte në rritjen e numrit të turistëve në vend përgjatë viteve të fundit dhe vendosja e afatit do të penalizonte investitorët.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni rrëzoi me shumicë votash projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit