Jahni me Pulë

Mos i humb

Pa dyshim, jahnia shqiptare është ndër pjatat më të shijshme, të cilën amvisat kujdesen ta përgatisin përherë në familjet e tyre.

Dikur ishte pjata e parë me të cilën, nënat dhe gjyshet mirëprisnin miqtë në tryezat e shtruara plot për dreka apo darka.

Kjo pjatë tipike shqiptare, e trashëguar me mjeshtëri brez pas brezi sjell shije dhe shëndet në tryezat familjare.

E gatuar në zjarr të ngadaltë sipas traditës, ajo mbush gjithë kuzhinën me aromën e saj fantastike të ndezur nga gjethet e dafinës, erëza karakteristike e kësaj pjate të shijshme.

AgroWeb.org sjell më poshtë recetën speciale të jahnisë që sigurisht nuk duhet t’i mungojë menusë së çdo tryeze shqiptare.

E plotë në shije, tradicionale e mbi të gjitha e shëndetshme, jahnia shqiptare shoqërohet në mënyrë fantastike me bukë të ngrohtë shtëpie dhe turshi, pure patatesh, pilaf dhe perime të furrës.

Jahnia E Shijshme Krejt Lehtë në Kuzhinën Tuaj

Përbërësit

  • 1 pulë e freskët 1 kg ose 4-5 kofsha pule
  • 3 qepë mesatare të grira hollë
  • 4 lugë gjelle vaj ulliri
  • 2 gjethe dafine (të thata ose të njoma)
  • 2 domate të grira
  • 2 lugë gjelle salcë domate (sipas preferences)
  • 300 ml ujë
  • kripë
  • piper
  • Uthull

Kujdesi në Përgatitjen e Mishit

Me ndihmën e një letre kuzhine, AgroWeb.org ju udhëzon që të thani të gjitha lëngjet e mishit të pulës.

Më pas, vendosni një tenxhere me bazament të gjerë në zjarr dhe hedhim vajin e ullirit.

E lëmë të nxehet pak dhe hedhim mishin duke e kaurdisur derisa të skuqet fortë.

Mishin e kaurdisim përreth 10 minuta derisa të skuqet mirë nga të gjitha anët.

Më pas shtojmë në tenxhere qepët e grira.

I kaurdisim derisa t’iu ulet volumi dhe të marrin një ngjyrë të verdhë të artë, më pas shtojmë domatet e grira.

I kaurdisim derisa volumi i domateve të bjerë.

Shtojmë salcën e domateve, kripën, një lugë uthull, piperin dhe gjethet e dafinës. Kaurdisini dhe shtoni ujin.

Në momentin që masa nis të vlojë, ulni zjarrin duke lënë që gjella të gatuhet në nxehtësi të ngadaltë.

Tenxheren mbulojeni me kapak dhe lëreni të ziejë në zjarr të avashtë, derisa mishi i pulës të jetë i butë.

Nëse doni që jahnia të jetë edhe më e lëngshme mund të shtoni edhe pak ujë tjetër, kjo varet nga preferenca juaj.

Kjo pjatë serviret e ngrohtë dhe për t’i shtuar edhe më shumë shijen mund t’i hidhen edhe disa pika uthull sipër.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit