Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi dy projektligje

Mos i humb

Nën drejtimin e kryetares Mimi Kodheli, Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi sot mbledhjen e radhës. Pas miratimit të kalendarit të komisionit për periudhën 18 mars – 5 prill 2024, komisioni miratoi procesverbalet e mbledhjeve të datave 6, 13 dhe 16 shkurt 2024.

Mbledhja e Komisionit vijoi me shqyrtimin e Projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor”. E ftuar për të prezantuar këtë projektligj ishte zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Ana Kapaj, e cila u shpreh se me këtë projektligj synohet forcimi i marrëdhënieve mes dy shteteve përmes bashkëpunimit dypalësh në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, si dhe interesi për të zhvilluar bashkëpunimin arsimor dhe shkencor me përfitim reciprok mes palëve.

“Në kuadër të kësaj marrëveshje palët do të inkurajojnë dhe mbështesin një pjesëmarrje të gjerë të mësimdhënësve, ekspertëve, kërkuesve shkencorë në seminare, konferenca dhe do të bashkëpunojnë ngushtë në trajnimin e tyre”, u shpreh Kapaj.

Relatori i çështjes, deputeti socialist Lavdrim Krrashi, pasi shprehu vlerësimet për projektligjin, ftoi kolegët të votojnë pro kësaj nisme ligjore.

Deputeti i opozitës, Tritan Shehu, shprehu gjithashtu mbështetjen për marrëveshjen në fjalë, duke nënvizuar se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të forcohen.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Komisioni për Politikën e Jashtme shqyrtoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale të infermierëve, veterinerëve, farmacistëve dhe mamive në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore”.

E ftuar për të prezantuar këtë projektligj ishte zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Ana Kapaj, e cila gjatë fjalës së saj u shpreh se, qëllimi i projektligjit është njohja automatike e të gjitha kualifikimeve.

“Risia e gjithë kësaj marrëveshje është fjala automatike, pra me një aplikim të personave të interesuar, ju njihet automatikisht kualifikimi që kanë arritur në vendet që ata janë. Flasim për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kur kërkesa e tyre aprovohet ju njihet çdo kualifikim”, tha ajo.

Relatorja e çështjes, deputetja socialiste Klodiana Spahiu, gjatë fjalës së saj u shpreh se i gjithë qëllimi është harmonizimi me axhendat dhe politikat e Bashkimin Europian, si dhe i ftoi kolegët për ta miratuar këtë projektligj.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit