Koreja e Veriut ende e gatshme për bisedime me SHBA-të

Mos i humb

 

Koreja e Veriut mbetet e gatshme të mbajë dialog me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) “në çdo kohë dhe në çdo format”, tha zëvendësministri i Jashtëm i vendit Kim Kye-gwan.

“Angazhimi ynë për të bërë më të mirën për hir të paqes dhe stabilitetit për botën dhe Gadishullin Korean mbetet i pandryshuar dhe ne jemi të hapur për t’i dhënë kohë dhe mundësi SHBA-së”, tha Kim në një deklaratë të publikuar nga agjencia shtetërore verikoreane e lajmeve KCNA.

Deklarata erdhi disa orë pasi presidenti amerikan Donald Trump e anuloi planin e tij për të takuar liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, për bisedime rreth denuklearizimit në Singapor më 12 qershor, duke cituar si arsyetim “zemërimin e madh dhe armiqësinë e hapur” të liderit verikorean.

Pheniani i ishte kthyer kërcënimeve me luftë bërthamore nëpërmjet një zyrtari tjetër të lartë të enjten, duke paralajmëruar Washingtonin se SHBA duhet të largohet nga këmbëngulja e saj që Veriu të bie dakord të kryejë denuklearizim të plotë, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm.

“Zemërimi i madh dhe armiqësia e hapur që presidenti Trump përmendi është vetëm një reagim i ashpër në përgjigje të një denuklearizimi të njëanshëm që synohet para samitit të planifikuar Kore e Veriut-SHBA”, shpjegoi zëvendësministri Kim.

Në një lajm tjetër, KCNA e cilësoi shkatërrimin e poligonit të testimit bërthamor të Koresë së Veriut si një “manifestim i gjallë i qëndrimit të palëkundshëm për paqe të qeverisë së Koresë së Veriut”.

Ndërkohë, presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, i bëri thirrje Trump dhe Kim të flasin drejtpërsëdrejt për të shmangur çdo ngatërresë komunikative.

“Unë jam shumë i hutuar dhe është për keqardhje që samiti Kore e Veriut-SHBA nuk do të mbahet më 12 qershor, kur ishte planifikuar të realizohej”, tha Moon në një takim emergjent të qeverisë më herët gjatë, njoftoi agjencia lokale e lajmeve Yonhap.

Lideri i Jugut riafirmoi premtimin e Kim për të synuar paqen dhe denuklearizimin në samitin ndër-korean të mbajtur më 27 prill.

Moon ishte gjithashtu në Washington në fillim të kësaj jave për bisedime që thuhet se kishin qëllim për të ndihmuar Trump të përgatitet për të takuar homologun e tij verikorean.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit