Kryeministri Edi Rama, zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe ministrat Arbjan Mazniku dhe Bora Muzhaqi, kanë inspektuar punimet në një nga kantierët më të rëndësishëm të Korridorit 8, aty ku po ndërtohen dy tunele me 1.1 km gjatësi. Këto tunele do të lidhin qytetin e Elbasanit me Librazhdin.
Balluku u shpreh se në fund të Shtatorit pritet që të ketë përfunduar faza e gërmimit për t’i hapur rrugën dorëzimit të rrugës në fillim të pranverës së vitit tjetër.
“Pra këtu e kemi hapin pak më të ngadalësuar. Për ta bërë pak më të kuptueshme e kemi gjetur zgjidhjen. E shikoni që prania e ujit është e shumtë në zonë, por tani ne kemi kaluar mbi Murriz dhe nuk na ndalon më asnjë gjë.
Pra është gjetur çelësi. Ne mendojmë që dritë do të shohim shumë më shpejt. Diku nga Shtatori do të kemi dritë në anën tjetë, pastaj do të përdorim gjithë pjesën për të bërë kurorëzimin në fillim të pranverës vitin tjetër. Faza e tretë nis në Labinot Fushë dhe më pas arrin në mbikalimin e Xibrakës.
Këtu jemi praktikisht në urën e Murashit Këto të dy urat janë vazhdim i të gjithë segmentit. Për herë të parë Shkumbinit i ofrohet edhe mbrojtja lumore nga Librazhdi deri në Elbasan”, shprehet Balluku.
Mes të tjerash Kryeministri gjatë inspektimit është interesuar edhe për një segment tjetër në Librazhd që e lidh atë me Dibrën, segment i cili Balluku u shpreh se tashmë është thuajse i përfunduar.
“E dëgjoni, ju dibranët, se për ju paska qenë kjo botë. Mirë Rruga e Arbrit, por tani do të dilni edhe tek liqeni i Pogradecit me shpejtësi të madhe,” shprehet Rama.