Kosova mori 6.5 milionë euro nga Gjermania për zhvillimin e bujqësisë

Mos i humb

Qeveria e Kosovës dhe Gjermania kanë nënshkruar marrëveshje për një grant të pakthyeshëm në vlerë prej 6.5 milionë euro dedikuar për sektorin e bujqësisë.

Marrëveshjen për grantin “Financimin e shërbimeve për krijimin e vendeve të punës në sektorin e bujqësisë, Fondi për Garantimin e Kredive III”, e nënshkruan ministri i Financave i Kosovës Bedri Hamza dhe ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt.

Ministri Hamza tha se kjo është marrëveshja e tetë me radhë me Gjermaninë për grant të pakthyeshëm. Hamza tha se Gjermania është një nga donatorët më të mëdhenj në Kosovë dhe deri tani me mbi 500 milionë euro, prej të cilave rreth 80 për qind të dhuruara përmes granteve, ku ka kontribuar në zhvillimin e ekonomisë kosovare.

“Ne jemi të vendosur të zhvillojmë një ekonomi të qëndrueshme dhe jemi të sigurt se zhvillimi i qëndrueshëm sigurohet vetëm nga sektori privat. Këto 6.5 milionë euro janë të destinuara për Fondin e Garantimit të Kredive. Fondi u themelua me mbështetjen dhe ndihmën e donatorëve, ndërsa kontribut më të madh financiar deri më tani është siguruar nga qeveria gjermane,” tha Hamza.

Ai theksoi se Fondi për Garantimin e Kredive në fokus grupesh ka të rinjtë dhe gratë që kanë plane të qëndrueshme biznesi dhe të cilët do të jenë në gjendje të marrin hua të favorshme, ndërkohë që granti i sotëm ka për qëllim veçanërisht mbështetjen e kompanive në fushën e agrobiznesit.

Ambasadori gjerman Heldt theksoi se kjo ndihmë financiare do të kontribuojë për ta sjellë Kosovën më afër Bashkimit Europian. /Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit