Kosovë, fillon peticioni për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale

Mos i humb

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, sot kanë filluar nënshkrimin e peticionit, përmes të cilit kërkojnë që Kuvendi i Kosovës të bëjë ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e fundit në Kosovë janë mbledhur sot në Sheshin “Skënderbeu” në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, ku edhe kanë nisur nënshkrimin e peticionit “për çështjen diskriminuese ndaj Kosovës”, siç u shprehën ata duke kërkuar ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe sipas tyre gjykatat të merren edhe me krimet e serbëve të kryera në Kosovë.

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) së UÇK-së, Nasim Haradinaj në një prononcim për mediat tha se nënshkrimi i peticionit ka filluar sot në të gjitha degët dhe nëndegët e OVL-së së UCK-së në Kosovë. Ai u shpreh optimist që populli do ta kuptojë mirë kërkesën e tyre që të mos aprovohet ligji duke theksuar se ky është një mision kombëtar për ta. Sipas Haradinajt numri i atyre që do e nënshkruajnë peticionin do të jetë mjaft i madh.

“Është shansi i fundit për të gjithë ata të cilët kanë gabuar, nuk mund ta quajmë asgjë tjetër vetëm gabim nënshkrimin e kësaj gjykate. Dëshira jonë është që Gjykata Speciale të mos kishte ndodhur fare dhe punën e tyre ta kryejnë gjykatat e Kosovës, mirëpo mbasi ka ardhur puna deri këtu atëherë gjykata e cila është aprovuar në parlament më herët, mendojë që ka bërë shkeljet e para”, tha Haradinaj.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Luftës së Fundit të UÇK-së, Xhavit Jashari, tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të mendojnë dy herë para se t`ia hapin rrugën një gjykate të tillë e cila, sipas tij, e shkel kushtetutën e Kosovës.

“Mendojë se nuk ka diçka më degraduese, më fyese jo vetëm për ata djem dhe vajza që me gjakun, me luftën e tyre e me gjymtyrët e tyre na kanë sjellë deri këtu lirinë e kësaj pjese të atdheut, por mendojë se kjo është fyerja më e rëndë që i bëhet popullit shqiptar. Jo vetëm në Kosovë, por popullit shqiptar në përgjithësi sepse lufta e drejtë dhe e pastër e UCK-së ka përmasa kombëtare dhe obligohet çdo qytetar jo vetëm ta ruaj, por edhe ta avancojë edhe mos të lejojë që të preket kjo vlerë e shenjtë e çdo shqiptari kudo që ai jeton”, tha Jashari.

Edhe, Jahir Bejta nga shoqata për dëme të luftës “Ngritja e Zërit”, tha se kanë nënshkruar peticionin, sepse besojnë se Gjykata Speciale e Kosovës është anti-kushtetuese dhe nuk respektohet e drejta e të gjithë qytetarëve të Kosovës të cilët sipas tij janë të barabartë para ligjit. Qëllimi i këtij peticioni është që të mblidhen 10 mijë nënshkrimet me anë të cilave do të arrihet që të rikthehet ligji për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit