Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vlerëson se Lista Serbe është e angazhuar në akte terroriste, akte agresioni dhe cenim të rendit kushtetues, ka thënë kabineti i Presidencës.
Kjo deklaratë vjen një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, pas shqetësimeve të ngritura nga përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje se, kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si “Kosova dhe Metohia”.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë shprehur shqetësim dhe keqardhje për këtë vendim dhe kanë bërë thirrje që procesi i certifikimit të bëhet mbi baza të standardeve ligjore dhe procedurave në përputhje me ligjet, dhe jo në bazë shqyrtimesh politike.
Sipas kabinetit të saj, Osmani beson se KQZ-ja duhet të vendosë në mënyrë të pavarur.Lista Serbe është ankuar për këtë vendim në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa dhe vendimi pritet të bëhet publik brenda 48 orëve.
Sipas kryetarit të kësaj partie – që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – Zllatan Ellek, vendimi për moscertifkim është absurd, antiserb dhe jodemokratik dhe është bërë me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.