Kraja: Rritja e pagës minimale 40 mijë lekë, nisma e duhur

Mos i humb

Sokol Kraja, një ndër sipërmarrësit e suksesshëm në vend, deklaroi sot se, është emergjente ndryshimi i strukturës së ekonomisë dhe kalimi drejt industrisë, pasi kjo degë ka marzhe të larta fitimi, çka i mundëson biznesit edhe rritjen e pagave për punonjësit.

Në një bashkëbisedim me sipërmarrjen për pagat, ku i pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, Kraja tha se, vendimi i qeverisë për rritjen e pagës minimale në nivelin 40 mijë lekë, është një nga nismat e duhura, në momentin e duhur.

“Jemi në një moment historik. Gjithë shtetet e huaja po kërkojnë punonjës nga Shqipëria. Italia po kërkon 1.7 milionë punonjës, 86 % e kompanive italiane kërkojnë punonjës, Gjermania po kërkon 1.7 milionë punonjës. Jam në dijeni se disa nga ambasadat e huaja kanë shtuar stafet e tyre dhe po kërkojnë punonjës për të rekrutuar. Pjesë të stafit të kompanisë sime janë kontaktuar nga përfaqësues të ambasadave në vend”, tha ai.

Kraja theksoi se, për të përballuar këtë sfidë, del si domosdoshmëri bashkëpunimi midis të gjithë aktorëve në vend, qeveri-biznes-shoqëri.

“Si do të përballojmë ne këtë sfidë? Rritja e pagës minimale mendoj se ishte një lëvizje e gjetur. Madje duhet të shkojë në 50 mijë lekë. Por këtu duhet bashkëpunim nga të gjithë aktorët e shoqërisë. Trajnimi i stafeve nga ana tjetër është shumë i nevojshëm.

Po punohet me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për trajnime, kualifikime, asistenca. Por ajo që duhet të bëjmë ne, është të ndryshojmë strukturën e ekonomisë, pasi vetëm 2 % e sipërmarrjes në vend është biznes i madh në Shqipëri. 98 % e sipërmarrjes në vend është biznes i vogël me deri 5 të punësuar. Bizneset e vogla e kanë të pamundur të rrisin pagat dhe të jenë konkurrues.

Duhet ti japim forcë zhvillimit të industrisë, sidomos asaj prodhuese. Kalimi në industri lejon rritjen e marzhit të fitimit për kompanitë, duke çuar kështu automatikisht edhe në rritje pagash për punonjësit.

Hapja e tregjeve është e domosdoshme. Hapja e tregjeve dhe nxitja e eksporteve gjithashtu çon në rritje pagash.

Pra faza e parë ristrukturim i bizneseve. Faza e dytë është marketimi që mund të bëjë qeveria për të ndërgjegjësuar punonjësit për pagat që u ofrohen jashtë, pasi përtej shifrës që ju propozohet duhet llogaritur edhe kosto e jetesës dhe del që përfitimi nuk është i lartë“, tha Kraja.

Nga ana tjëtër, ai i kërkoi qeverisë edhe hapjen e përfaqësive në vende si India me 1.3 miliardë banorë për të gjetur krah të lirë pune.

“Ka biznesmenë që duan të hapin kompani në atë pellg ku shkojnë e peshkojnë të gjitha shtetet, ne ende skemi përfaqësi”, shtoi Kraja.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit