Kriza energjetike/ Shqipëria ndihmon Kosovën në dy ditët e festës të ndarjes së viteve

Mos i humb

Shqipëria do të ndihmojë Kosovën në krizën energjetike që po kalon këto kohë.

Kryeministri Edi Rama informon se kërkoi sot nga Ministria e Energjisë që të vlerësojë çdo mundësi ndihme për qeverinë e Kosovës, që të mos u mungojë energjia elektrike në dy ditët e festës të ndarjes së viteve.

”Shqipëria s’e ka aspak të lehtë mbrojtjen e vijueshme të familjeve e sipërmarrjeve të vogla nga dallga e tërbuar e krizës energjitike që po kërcënon çdo vend, por në sekëlldira të mëdha apo në gëzime popullore siç është Viti i Ri, ne s’mund të mos e ndajmë me Kosovën aq sa kemi! Duke e ndjekur me shqetësim krizën e rëndë energjitike që ka prekur Kosovën kërkova sot nga ministria e Energjisë të vlerësojë çdo mundësi ndihme për qeverinë e Kosovës,që familjeve në Kosovë të mos u mungojë energjia elektrike në dy ditët e festës popullore të ndarjes së viteve!”, shkruan Rama.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti reagoi një ditë më parë për krizën energjetike që po përjeton vendi, duke propozuar dy zgjidhjet për këtë situatë, reduktimin ose shtrenjtimin e energjisë.

Kryeministri i Kosovës tha se vendi duhej të kishte menduar më parë për të mos mbërritur në këtë situatë, teksa thekson se faktorët që ndikuan në këtë krizë janë: Mungesa e vizionit për zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, me planifikim të sektorit energjetik për furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme dhe korrupsioni qeveritar i bërë zakon, e që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro.

Kurti, përmes një postimi në Facebook bëri thirrje që qytetarët të shpenzojnë energji elektrike në mënyrë racionale.

“Edhe Kosova është në krizë energjetike. Çmimet e larta të importit janë pasojë e faktorëve të jashtëm, ndërkaq dobësimi i kapaciteteve është pasojë e shkaqeve të brendshme. Në njërën anë, çmimi i energjisë në bursë është shtatëfishuar: ishte rreth 70 euro për MËh në kushte normale, kurse me 21 dhjetor mbërriti deri në 515 euro! Në anën tjetër, as gjysma e konsumit te ne nuk mbulohet nga prodhimi: kërkesa ka arritur pikun historik me 1,4 GË, ndërsa në rastin më të mirë (deri sa ta riparojmë bllokun B2 me fuqi prej 255 MË) termoelektranat tona gjenerojnë as 650 MË! Në këtë situatë nuk ka zgjidhje të mirë: ose reduktime të energjisë, ose shtrenjtim të energjisë? Shumë më herët, Kosova është dashur të mendojë më shumë e më mirë, që të mos përfundojë në këtë gjendje të keqe. Janë dy faktorë të brendshëm që na kanë sjellur në këtë krizë. Mungesa e vizionit për zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, me planifikim të sektorit energjetik për furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme, si për amvisëritë ashtu edhe për industrinë. Së dyti, korrupsioni qeveritar i bërë zakon, e që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro. Gjatë këtyre dy dekadave, projektet e ndryshme pa strategji afatgjate nuk kishin si të mos dështonin. Në vitin 2022 ne do të kemi strategjinë nacionale energjetike për dekadën në vijim, dhe shtigjet ku duhet ecur drejt vitit 2050. Unë dhe ministrja e ekonomisë Artane Rizvanolli jemi në komunikim të rregullt me KEK-un, KOSTT-in dhe ZRrE-në. Me shtimin e likuiditetit dhe subvencionimin e importit kemi arritur të stabilizojmë furnizimin dhe reduktimet pothuajse janë hequr. Po bëjmë krejt çka mundemi. Ju falemnderit për mbështetjen dhe ju lutemi për kursim e racionalizim të shpenzimit me aq sa mundeni“, shkruan Kurti.

Kosova është duke u përballur prej ditësh me krizë energjetike. Reduktimet u udhëzuan nga Operatori i Sistemit dhe Tregut – KOSTT, për shkak të mbingarkesës në sistemin elektro-energjetik.

Kriza energjetike po lë me orë të tëra pa energji elektrike qytetarët dhe bizneset të cilat janë gjendur në vështirësi.

Situata është e rëndë edhe në Komunën e Hanit të Elezit, ku qytetarët ankohen se reduktimet po zgjasin me ditë, ndërsa kryetari kësaj komune, Mehmet Ballazhi tha se po dëmtohen edhe bizneset.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit