Kryediplomati kroat: Raporti pozitiv, shenjë se vendi shkon në drejtim të duhur

Mos i humb

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë, Gordan Grliç-Radman, i cili ndodhet në vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, tha se Kroacia fuqishëm mbështet hapjen e bisedimeve për anëtarësim të vendit në Bashkimin Evropian (BE) (AA).

Ministri Grliç-Radman u takua me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Nikolla Dimitrov, pas çka mbajtën një konferencë të përbashkët për media ku u tha se temë kryesore e bisedimeve ka qenë zgjerimi i BE-së dhe rrugëtimi evropian i Maqedonisë së Veriut.

Duke theksuar se Kroacia fuqishëm mbështet hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut, ministri Grliç-Radman tha se këtë gjë në vazhdimësi e theksojnë para partnerëve të tyre evropianë.

“Vizita ime përkon me raportin e progresit, raportin pozitiv dhe kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme, një shenjë pozitive se Maqedonia e Veriut shkon në drejtim të duhur”, theksoi ai.

Siç theksoi ministri kroat, dëshira e tij është që Samiti i cili do të mbahet në muajin maj në Zagreb të jetë një pikë kthese në raportet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor në 10 vitet e ardhshme.

Duke theksuar se Kroacia, si vend që ka presidencën aktuale me BE-në, do të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë e Veriut në çdo aspekt, duke shtuar se ka qëndrim pozitiv tek vendet anëtare dhe se edhe vendet më skeptike lëvizin në drejtim pozitiv.

Nga ana tjetër, ministri Dimitrov tha se vendet anëtare të BE-së kanë vlerësuar se raporti i Komisionit Evropian është real dhe se Maqedonia e Veriut plotëson kushtet për fillim të bisedimeve me BE-në.

Duke theksuar se Maqedonia e Veriut është me fat që pikërisht Kroacia në këtë periudhë kryeson me Këshillin e BE-së, ministri Dimitrov theksoi:

“Kemi përputhje absolute të interesit shtetëror kroat dhe maqedonas që të kemi sukses në përputhje me konkluzionet e Këshillit Evropian para mbajtjes së Samitit të madh të rajonit me Evropën në Zagreb në fillim të muajit maj”.

Gjatë konferencës për media, ministri Dimitrov gjithashtu tha se metodologjia e re dhe raporti pozitiv janë bazat që Bashkimi Evropian të bëjë përpjekje dhe të japë një vendim konkret dhe të qëndrueshëm për të filluar bisedimet për anëtarësim.

Përpos ministrit Dimitrov, kryediplomati kroat gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut është takuar edhe me presidentin Stevo Pendarovski. Siç njoftuan nga kabineti i presidentit, Pendarovski ka shprehur falënderime për angazhimin kroat për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit